Gjykata e Posaçme zhvilloi seancën e radhës për një nga dosjet më të bujshme kriminale, ku në qendër qëndron banda e drejtuar nga Laert Haxhiu, i ekstraduar nga Greqia vitin e kaluar dhe i njohur për rivalitetin e tij me Aldo Baren, kreun e “Bandës së Lushnjës”.

I penduar i drejtësisë Artan Tafani vazhdoi dëshminë e tij mbi sagën kriminale të organizatës, duke rrëfyer për urdhrat, viktimat, atentatet, pjesëmarrësit dhe motivet e krimeve.

Një pikë kyçe e dëshmisë së sotme ishte sërish vrasja e Albi Bashaliut. Tafani përshkroi në detaje dinamikën pas atentatit, fshehjen e armës pas çmontimit dhe pagesën prej 30 mijë eurosh, të cilat në Tiranë i solli vetë babai i Laert Haxhiut, Qamil Haxhiu. Në dëshminë e tij thuhet fjalë për fjalë:

“Pasi mbaruam punë nuk na ndezi makina “Audi” që kishim. Mora “Benzin” gri me targa greke. Pasi kaluan Kavajën, kam çmontuar armën, në atë kohë kalonin dhe makina të tjera që sduhet të na shikonin që hidhnim pjesë të armës. Kur errdhëm në Tiranë kemi lënë Benzin në Astir dhe për të humbur gjurmë, kemi ecur në këmbë. Kemi marrë 30 mijë euro, na ka sjellë i ati i Laertit, Qamil Haxhiu dhe atë 30 mijë i kemi ndarë në 3 pjesë; unë, Lulzim Arapi dhe Laerti. Këto lekët i ka dhënë një person që e thërrisnin Limi, me të cilin para ngjarjeve fliste Laerti me të.”

Në dëshminë e mëparshme Tafani kishte rrëfyer edhe për disa krime të tjera. Ai tregoi se gjatë paraburgimit, pasi u plagos Xhulio Shkurti, nipi i Aldo Bares, arma e përdorur u gjet në stanin e Qamil Haxhiut, babait të Laertit.

“Pas ngjarjes erdhi Lulzim Spahiu në paraburgim, më pas edhe Qamil Haxhiu. Me Lulzimin ndenjëm aty bashkë,” dëshmoi Tafani, ndërsa përmendi edhe takimin e parë me Laert Haxhiun pas daljes nga burgu.

Tafani rrëfeu edhe vrasjen e Çajup Selimit, ku pas krimit hodhi armën në lumin Vjosë dhe shkoi të takonte Laertin në Tiranë.

Në dëshminë e tij tronditëse, ai përshkroi edhe vrasjen e Fridman Xhaferrit, kushëririt të Laert Haxhiut në Korçë, si dhe tentativën për vrasjen e avokatit Adriatik Doga, gjithashtu kushëri i Laertit, pasi dyshohej se po ndihmonte kundërshtarët e tij./Lapsi

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu