Adriano Galiani mendon se Igli Tare është zgjedhja e duhur për Milanin dhe se bashkë me Alegrin, do të kthejnë në shina skuadrën kuqezi. Ish-drejtuesi i njohur i Milanit, aktualisht në kreun e klubit të Monzës, nuk ngurron ta shprehë këtë publikisht.

Pjesëmarrës në një darkë bamirësie, Galiani ka folur para mediave për shitjen e Monzës te investitorët e rinj amerikanë që do e marrin në pronësi nga familja Berluskoni. Por njëkohësisht, ai ka folur edhe për “dashurinë e jetës së tij”, Milanin.

“Sot në fakt do të jem në tavolinë me Mauro Baldisonin, ndaj është mirë, pasi zemra ime qëndron gjithmonë te Monza ku jam lindur dhe te Milani, ku kam qëndruar për 31 vite. Në fakt, i pari që përqafova ishte Igli Tare”, tha drejtuesi italian.

“A i dhe këshilla Tares se si të menaxhojë Milanin?”, u pyet ai më pas nga një prej gazetarëve. “Mendoj se ai dhe Maks janë dyshja e duhur për Milanin dhe nuk kanë nevojë për këshillat e mia”, ishte përgjigja e menjëhershme e Galianit, i cili drejtoi kuqezinjtë në periudhën më të suksesshme të historisë së tyre./Panorama

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu