
Ish- kryetari i Dhomës se Avokatëve në Korçë Arben Lena është arrestuar për ryshfet.
Ai është paditur nga një 70-vjeçar që vuan dënimin në burgun e Shën Kollit, se i ka tërhequr paratë ngaqë i kishte dhëne një prokure përfaqësimi
“Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar referuan materialet në Prokurori, për shtetasin Arben Lena 56 vjeç, me profesion avokat, aktualisht me masë sigurie “Arrest në burg”, pasi dyshohet se gjatë periudhës 2020-2022, ka tërhequr shuma parash nga llogaria bankare e një 70-vjeçari (aktualisht në IEVP Shënkoll), duke përdorur prokurorën që ia ka marrë duke shfrytëzuar besimin dhe gjendjen shëndetësore të tij”, njofton policia.
Avokati Lena ndodhet i dënuar ne burg për një tjetër rast ryshfeti.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, më 27 qershor të 2024 dha vendimin për deklarimin fajtor të ish-kreut të Dhomës së Avokatisë Korçë, Arben Lena, koleges së tij, avokates Dajana Kodra Ninga, si dhe katër prej pesë personave të tjerë, të akuzuar për “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Moskallëzim krimi”.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, SPAK, të pandehurit Nikolla Hafësllari, Nikolla Jesku, Blerand Kozici dhe Artiana Kozici në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në formë aktive kanë dhënë përfitim të parregullt prej 5000 euro, me qëllim ushtrimin e ndikimit të paligjshëm tek gjyqtari i Gjykatës së Apelit Korçë dhe lehtësimin e pozitës proceduriale të të pandehurit Blerand Kozici, i cili po hetohej nën efektin e masës së sigurimit “arrest në burg“, nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Pogradec për dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufijve.
Ndërsa avokatët Arben Lena dhe Dajana Kodra Ninga, u akuzuan se kishin marrë ryshfetin, duke premtuar se do të ushtronin ndikim të paligjshëm te gjyqtari i Gjykatës së Apelit Korçë, për të favorizuar pozitën e Kozicit./abc lajme