
Kandidati për deputet i qarkut Tiranë, Erion Braçe, i cili shquhet për guximin e tij politik, kësaj here duket se ka tejkaluar edhe vetveten.
Me një foto pikante, që me sa kuptojmë nga kostumi i Spiropalit është shkrepur gjatë prezantimit të kandidatëve të Tiranës ditën e premte në kryeqytet, Braçe na jep një mesazh të fortë.
“AJO DITA KUR TË THONË “JE I DYTI NË LISTË”!
… DHE TI I THUA “JE I PARI”!”
Një superdiçiturë simbolike dhe për luftën që Braçe po bën, duke marrë parasysh se sapo është transferuar nga zona e Lushnjës, ku ishte deputet dhe ku kishte fokusuar prej vitesh aktivitetin e tij elektoral.
E kemi parë të luftojë me të gjitha forcat për të bërë diferencën në një listë “gladiatorësh” të PS-së në kryeqytet, që do të jetë një përplasje titanësh në zgjedhjet e 11 majit.
Braçe, siç e ka theksuar edhe vetë në postimet e profilit të tij hiperaktiv, nuk ka staf dhe as post që të shfrytëzojë benefitet që vijnë natyrshëm bashkë me karrigen.
Jo vetëm në rrjete sociale, por kush banon në njësinë 5 në Tiranë e sheh Braçen ditë natë të palodhur në takim me popullin, duke kërkuar votën pa iu imponuar askujt e pa shfrytëzuar punësimet në administratë.
Siç po ndodh p.sh. në Ministrinë e Bujqësisë, ku ministrja Denaj, kandidate në listën e hapur po ashtu të Tiranës, prej muajsh ka nisur spastrimet e profesionistëve në stafin e saj, duke i zbuar pa pikë turpi me pretekstin se do punësonte persona për fushatë.*
Kështu, në këtë garë mes të pabarabartësh, vetëbesimi i Braçes se është njëshi i listës së hapur të PS-së është gjysma e punës drejt fitores së 11 majit, për deputetin e pabindur./AIA.AL
Shenim: (Të paktën dy persona kanë treguar për redaksinë se u ka ndodhur një gjë e tillë në këtë dikaster, por nuk preferojnë të bëhen publike dëshmitë e tyre, që janë verifikuar si të vërteta nga redaksia gjithashtu).