Agjencia e Mbikëqyrjes Policore në Tiranë ka arrestuar një efektiv policie i dyshuar për veprat penale “shpërdorim detyre” dhe “korrupsion pasiv”.
“Vijon procesi i vetëpastrimit të Policisë së Shtetit nga ata që nuk meritojnë besimin e qytetarëve dhe uniformën e Policisë. Agjencia e Mbikëqyrjes Policore në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës kanë ndaluar një oficer policie, të dyshuar për “Shpërdorim detyre” dhe “Korrupsion pasiv” deklaroi ministri Taulant Balla.
Efektivi është arrestuar në flagrancë pasi dyshohet se i ka kërkuar një qytetari 50 mijë lekë për ta lehtësuar këtë të fundit nga një kallëzim ndaj tij.
Qytetari ishte kallëzuar nga një grua për kanosje dhe efektivi Palushi i kishte kërkuar para që të shmangte hetimet dhe përgjegjësinë penale.
Ndërkohë janë sekuestruar shumë monetare prej 50 mijë lekësh të rinj, një automjet Hyundai, një aparat celular dhe dokumenta të tjera që lidhen me ngjarjen.
Arrestimi i tij u bë i mundur pasi nga hetimi i kryer, u administruan prova dhe fakte që ky punonjës policie, duke shfrytëzuar funksionin organik dhe atributet e policisë gjyqësore, ka kërkuar dhe marrë shumën monetare prej 50.000 lekësh, duke premtuar shmangien nga përgjegjësia penale ndaj një shtetasi, i cili disa ditë më parë ishte kallëzuar nga një tjetër shtetas për kanosje.
Në përfundim të veprimeve, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale shuma prej 50 mijë lekësh, një automjet Hyundai, një aparat celular dhe dokumenta të tjera që lidhen me ngjarjen.’, thuhet në njoftimin e AMP-së. Shqiptarja.com