Një vendim gjyqësor i gjykatës së Beratit, ka urdhëruar prokurorinë e këtij qyteti të kryejë veprime hetimore shtesë lidhur me një kallëzim të depozituar nga banorët e fshatit Lumas në Kuçovë, për punimet e paligjshme të kryera në funksion të ndërtimit të një ujësjellësi.

Vendimi është marrë nga gjyqtarja Ardiola Çela, e cila gjatë shqyrtimit të dosjes penale me nr. 814 të regjistruar për “Shkatërrim të pronës”, urdhëroi prokurorinë e Beratit që të tërhiqte mbrapsht aktet hetimore, duke vijuar hetimet e mëtejshme.

Në vendimin e saj gjyqtarja ka urdhëruar dy prokuroret Denisa Perdja dhe Aida Yzeiraj, duke plotësuar 3 pika kryesore, detyra këto që ja ka lënë gjyqtarja e çështjes.

Sipas gjykatës brenda një kohe 3 mujore, prokuroret e Beratit duhet të pyesin dhe marrë deklarimet e të gjithë personave banorë të fshatit Lumas, që pretendojnë se janë dëmtuar në pronat e tyre, për lidhur me zbatimin e projektit të ndërtimit të Ujësjellësit.

Detyra e dytë që gjykata e vendos prokurorisë, është të verifikojë në terren pretendimet e banorëve të fshatit Lumas, duke caktuar një ekspert të fushës, i cili duhet të saktësojë nëse projekti është zbatuar sipas miratimit të tij dhe nëse ka devijimi ose jo.

Ndërsa detyra e tretë e lënë nga gjykata e Beratit, është që prokuroria duhet të përcaktojë nëse ka tuba të hequra apo gërmime që kanë sjellë dëm në shkatërrimin e pronave.

Të trija këto detyra tashmë duhet të përmbushen nga ana e prokurorisë së Beratit,e cila prej vitit 2021 ka hapur një dosje penale me Nr.814 për akuzën e “Shkatërimit të pronës”.

Kallëzimi është kryer nga banorë të fshatit Lumas, të cilët kanë shfaqur pakënaqësi mbi formën dhe mënyrën se si po ndërtohet ky ujësjellës, pasi jo vetëm po prish pronat e tyre, por shkatërron dhe Kanionin e Lumit të Sinecit.

Por prokuroria e Beratit nuk e ka hetuar plotësisht këllëzimin e banorëve të Lumasit, duke u mjaftuar vetëm me një kthim përgjigje nga ana e bashkisë Kuçovë dhe më pas ka vendosur ti kërkojë gjykatës pushimin e dosjes penale.

Kërkesa për pushimin e çështjes është depozituar në gjykatë, në një kohë kur asnjë nga banorët kallëzues nuk ishte marrë në pyetje nga prokuroria e Beratit.

Nisur nga kjo situatë, gjykata e Beratit, ka vendosur të kthejë çështjen për rihetim, duke lënë 3 detyra kryesore për prokurorinë./oranews

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu