
Kamber Sulçaj, 48 vjeç, i shpallur në kërkim për vrasjen e biznesmenit italian Edoardo Sarchi në Tepelenë, rezulton të jetë aksioner në një gurore në zonën e Bratajt të Selenicës, Vlorë.
Guroreja, e regjistruar me emrin “Stone Quramenga”, ka si ortakë edhe anëtarë të tjerë të familjes Sulçaj. Kamber Sulçaj zotëron 25% të aksioneve, babai i tij Delo Sulçaj ka 20%, ndërsa vëllai Akil (alias Ermal) mban 15% të aksioneve. Pjesa tjetër u përket dy ortakëve të tjerë që nuk kanë lidhje familjare me ta, sipas Report TV.
Përveç aktivitetit në gurore, Kamber Sulçaj zotëron edhe një stan bagëtish në zonë.
Ndërkohë, në maj të vitit 2021, në Vlorë, u arrestuan vëllai tjetër i Kamberit, Gazmendi, dhe kushëriri Roel Sulçaj, pasi u kapën me 2632 fara kanabisi, të cilat synonin t’i shisnin për kultivim.
Kamber Sulçaj vijon të jetë në kërkim, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes së rëndë në Tepelenë janë në zhvillim.