
I dyshuari për sulmin me makinë në Vankuver, që la të vdekur 11 persona në një festival filipnez, është akuzuar për vrasje, tha policia kanadeze.
Të dyshuarit, që u identifikuar si Kai-Ji Adam Lo, 30-vjeç, nga Vankuver, iu ngritën tetë akuza për vrasje të shkallës së dytë, sipas departamentit policor në Vankuver.
Lo, i cili doli para gjykatës dhe më pas u dërgua në paraburgim, dyshohet se ka vepruar qëllimshëm dhe kishte probleme të shëndetit mendor, tha policia kanadeze.
Ende nuk është konfirmuar motivi për sulmin e të shtunës mbrëma në Vankuver, edhe pse policia nuk e ka hedhur poshtë mundësinë se rasti ka të bëjë me terrorizëm.
Sulmi me makinë ndaj turmës së njerëzve tronditi mbarë Kanadanë. Shefi i policisë, Steve Rai, tha se i dyshuari që goditi turmën me makinën e tij ishte i njohur për policinë dhe profesionistët e shëndetit mendor.
Policia kanadeze tha se sulmi në Vankuver “ishte dita më e errët në historinë e qytetit tonë”.
Komuniteti filipinez ishte mbledhur në lagjen Fraser të Vankuverit kur pjesëmarrësit në festival u goditën nga një veturë.
Festivali quhet Lapu Lapu dhe nderon një udhëheqës antikolonial filipinez të shekullit 16-të.
Sulmi është dënuar nga politikanë në Kanada.
“Mbrëmë, familjet humbën një motër, një vëlla, një nënë, baba, djalë dhe vajzë. Këto familje do të jetojnë çdo ditë me këtë makth”, tha kryeministri kanadez, Mark Carney.
Udhëheqësi konservator në Kanada, Pierre Poiliever, shkroi në X se “jam i tronditur nga lajmet që po vijnë nga festivali Lapu Lapu në Vankuver”.
Presidenti i Filipineve, Ferdinand Marcos, dënoi sulmin dhe tha se është i pikëlluar me ngjarjet në Vankuver.
Dita e Lapu Lapu shënohet në Filipine për të kujtuar udhëheqësin indigjen Lapulapu, i cili udhëhoqi mposhtjen e eksploruesit portugez, Ferdinand Magellan, gjatë betejës më 1521./ REL