Integrimi në Bashkimin Europian është një nga sfidat më të mëdha të vëndit tonë. Kështu ka deklaruar kryeministri Edi Rama në një intervistë për mediat italiane.
“Më në fund jemi ulur në tryezën e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, pas një rrugëtimi të gjatë reformash, plot me pengesa të vështira. Sfidë është gjithçka që do të na çojë drejt hapit të madh historik të hyrjes në Bashkimin Evropian dhe ta transformojë Shqipërinë në një vend, ku e kaluara nuk mund të marrë më peng të ardhmen”, tha Rama.
Kryeministri foli për zgjedhjet parlamentare të majit dhe pjesëmarrjen e qytetarëve në votime.
“Në Shqipëri, mund të them se ende mbajmë nivele të mira pjesëmarrjeje, duke marrë parasysh vetëm qytetarët rezidentë në vend. Do të jetë interesante të shohim se sa do të votojnë për herë të parë nga jashtë”, shtoi kryeministri.
I pyetur se si e sheh rikthimin e Donald Trump në krye të Shtëpisë së Bardhë Rama u shpreh: Si dikush që është kthyer në majën e botës pasi ka qenë buzë humnerës duke prekur madje edhe vdekjen. Ai kurrë nuk ka fshehur bindjen se zoti kishte një arsye të veçantë për ta mbajtur gjallë ndërsa kandidonte për Shtëpinë e Bardhë
Kryeministri ka thënë se është diçka e veçantë rikandidimi në zgjedhje për herë të katërt, ndërsa nuk ka dhënë asnjë emër në përgjigje të pyetjes se kush do të jetë pasardhësi i tij. /vizionplus.tv