
Dy shtetase kineze janë arrestuar nga policia e Durrësit, pasi ushtronin prostitucion në një apartament që ato kishin marrë me qira në Qerret.
Në pranga mësohet se kanë rënë shtetaset me iniciale C. Y., 42 vjeçe dhe Y. Sh., 41 vjeçe, të dyja të dyshuara për veprën penale “Prostitucioni”.
Ndërkohë janë proceduar penalisht në gjendje të lirë për të njëjtën vepër penale 6 shtetas shqiptarë, klientë që dyshohet se kanë përfituar shërbime seksuale kundrejt pagesës.
Nga hetimet rezultoi se dy shtetaset e huaja kishin hyrë në Shqipëri si turiste dhe përmes komunikimeve në rrjetet sociale, siguronin klientë, duke ofruar shërbime seksuale kundrejt vlerave monetare nga 80 deri në 200 euro.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan shuma parash në euro dhe dollarë dhe 2 telefona celularë, të përdorur për komunikime me klientët.
Policia Durres
Vijojnë operacionet e njëpasnjëshme për goditjen e rasteve të prostitucionit.
Finalizohet nga Sektori për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, pas një hetimi dyjavor me metoda proaktive, operacioni policor i koduar “Baza”.
Goditet një bazë prostitucioni në Qerret të Kavajës.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kavajë, në bashkëpunim me Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve, pas një hetimi intensiv dhe të mirëorganizuar, finalizuan operacionin policor të koduar “Baza”, në kuadër të të cilit u dokumentua dhe u godit një rast i ushtrimit të prostitucionit.
Në përfundim të veprimeve hetimore u bë arrestimi në flagrancë i dy shtetaseve kineze:
C. Y., 42 vjeçe dhe Y. Sh., 41 vjeçe, të dyja të dyshuara për veprën penale “Prostitucioni”.
Gjithashtu, u proceduan penalisht në gjendje të lirë për të njëjtën vepër penale 6 shtetas shqiptarë, klientë që dyshohet se kanë përfituar shërbime seksuale kundrejt pagesës.
Nga hetimet rezultoi se dy shtetaset e huaja kishin marrë me qira një apartament në Qerret dhe, përmes komunikimeve në rrjetet sociale, siguruan klientë, duke ofruar shërbime seksuale kundrejt vlerave monetare nga 80 deri në 200 euro.
Dy shtetaset kishin hyrë në Republikën e Shqipërisë si turiste, ndërsa në realitet ushtronin aktivitet të paligjshëm me qëllim përfitimi financiar.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan shuma parash në euro dhe dollarë dhe 2 telefona celularë, të përdorur për komunikime me klientët.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme procedurale./panorama