Mediat më të mëdha ndërkombëtare dhanë sot lajmin e humbjes së shkrimtarit shqiptar më të njohur në botë.
New york times
Ismail Kadare, romanet e të cilit përcollën thirrjen e Shqipërisë në botë vdes në moshën 88-vjeçare
Ai krahasohej me Oruellin dhe Kafkën shkruan gazeta prestigjoze amerikane, dhe eci mbi litar me veprën e tij me kritikë të fshehur mbi shtetin e tij totalitar.
Për këtë gazetë, Ismail Kadare është romancieri dhe poeti që e vuri atdheun e tij të izoluar ballkanik në hartën botërore të letërsisë.
Në karrierën e tij mbi gjysmë shekullore, Z.Kadare shkroi me qindra vepra, romane, poezi,tregime dhe ese. Ai u bë i famshëm në vitin 1970 kur “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” u përkthye në frengjisht. Në atë kohë në Europa kritika e vlerësoi si një kryevepër. Emri i Kadaresë është përmendur disa herë për çmimin Nobel. Në vitin 2005 mori çmimin Man Booker International Prize (sot International Booker Prize), që i jepet një shkrimtari ende në jetë për arritjet e tij në “fiction”.
Finalistë atë vit bashkë me Kadarenë ishin kolosë të letërsisë bashkëkohore Gabriel García Márquez dhe Philip Roth. Duke ia dhënë çmimin kritiku britanik John Carey, kryetar i jurisë tha se Zoti Kadare është një shkrimtar universal në një traditë rrëfimi që shkon deri në kohën e Homerit.
The guardian
Ismail Kadare, gjiganti i letërsisë shqiptare vdes në moshën 88-vjeçare titullohet shkrimi i The Guardian.
Historitë e tij alegori e jetës nën regjimin komunist morën vlerësime ndërkombëtare por ai këmbëngulte se nuk ishte një shkrimtar i angazhuar politikisht.
I lindur në Gjirokastër në një fortesë otomane në vitin 1936, Kadare u rrit në të njëtën rrugë ku kishte jetuar diktatori Hoxha. Studoi në Moskë dhe në Tiranë u kthye në vitin 1960 me një roman mbi dy studentë që rishkruajnë një tekst shqiptar të humbur. Kur u botua në revistë u ndalua menjëherë. “Ishte gjë e mirë që ndodhi”, i tha shkrimtari në një intervistë në The Guardian në vitin 2005. Një shkrimtar nuk e dinte në atë kohë se nuk mund të shkruaje falsifikimin e historisë”. Duke cituar një listë me 100 intelektualë të regjimit që ishin vënë në shënjestër për t’u arrestuar nga shërbimi sekret i kohës, Kadare u zhvendos në Paris ku kërkoi azil politik.
Asociated Press
Romancieri i njohur shqiptar me famë botërore Ismail Kadare vdes në moshën 88-vjeçare shkruan amerikania Asociated Press duke cituar vlerësimet e krerëve të shtetit.
Le Monde dhe AFP
Shkrimtari i njohur shqiptar Ismail Kadare vdes në moshën 88-vjeçare është një tjetër titull në median franceze ku ai kaloi një pjesë të madhe të jetës së tij. U përfol shpesh për një çmim Nobel për veprat e tij që sollën mitet dhe historinë duke çarë mekanizmat e totalitarizmit. Rrëfimi i tij i sofistikuar, që krahasohej me atë të George Orwell ose Franz Kafka – përdorte metaforë dhe ironi për të nxjerrë në pah natyrën e tiranisë së Enver Hoxhës.
“Kohët e errëta sjellin surpriza të bukura” i tha Kadare AFP në një intervistë. Letërsia ka prodhuar shpesh vepra të mahnitshme në kohë të errëta sikur të kërkonte zgjidhje për të këqijat që u janë shkaktuar njerëzve”.
Washington post, Reuters dhe shumë media të tjera në shumë gjuhë të botës e kanë pasur sot edhe një herë të fundit shkrimtarin e madh në titujt e tyre kryesorë krahas emrit të vendlindjes së tij Shqipërisë duke e vlerësuar njëzëri si shkrimtarin që e ngriti emrin e saj në botë me veprën e tij të papërsëritshme./Mespec.al