
Kryeministri Edi Rama mbajti fjalën e tij në mbledhjen përuruese të Bordit të Paqes në Uashington, duke falënderuar Presidentin amerikan Donald Trump për përfshirjen e Shqipërisë si një ndër vendet themeluese të kësaj nisme.
Rama theksoi se mbështetja e plotë dhe dypartiake në Parlamentin shqiptar për këtë iniciativë tregon nderin që Shqipëria ndjen për të qenë pjesë e saj. Ai u shpreh se Bordi i Paqes nuk është një përpjekje për të zëvendësuar Kombet e Bashkuara, por nëse ndihmon në “zgjuarjen” e një sistemi ndërkombëtar të paralizuar, atëherë kjo është një nismë për t’u bekuar.
Shqipëria me trupa në forcën e stabilizimit në Gaza
Kryeministri vlerësoi rolin e Presidentit Trump në ndalimin e konfliktit në Gaza dhe konfirmoi se Shqipëria do të marrë pjesë me trupa në Forcën e Stabilizimit.
Ai propozoi gjithashtu që vendet anëtare të kontribuojnë drejtpërdrejt duke ndërtuar një strukturë publike të dedikuar për fëmijët palestinezë, duke theksuar se ata janë viktimat më të pafajshme të konfliktit. Sipas tij, një nismë e tillë do të shndërronte plagët e historisë në një oaz shprese për brezat e ardhshëm palestinezë, dhe Shqipëria do të ishte e nderuar të kontribuonte në këtë zinxhir solidariteti.
View this post on Instagram
Thirrje për ndërhyrje në çështjen e Kosovës
Në pjesën e fundit të fjalës, Rama solli në vëmendje konfliktin e pazgjidhur mes Kosovës dhe Serbisë. Ai kujtoi se gjatë mandatit të parë të Presidentit Trump, Kosova dhe Serbia ishin më afër se kurrë një marrëveshjeje përfundimtare paqeje.
Sipas tij, presidenti i Kosovës u pengua të udhëtonte drejt Shtëpisë së Bardhë për nënshkrimin e marrëveshjes dhe sot ndodhet prej gjashtë vitesh në paraburgim në Hagë, përpara një gjykate speciale që, sipas Ramës, nuk ka arritur të respektojë standardet e drejtësisë demokratike.
Ai kritikoi kërkesën e fundit të prokurorisë për 45 vite burg për ish-presidentin e Kosovës, duke e cilësuar si një goditje për një komb që kërkon paqe. Rama apeloi që të ndërmerret veprim përpara se situata të përshkallëzohet sërish.
“Më lejoni shumë shkurtimisht t’ju tërheq vëmendjen te një tjetër konflikt i hapur ,më pranë vendit tim, ku udhëheqja e Presidentit Trump gjatë mandatit të tij të parë, e solli Kosovën dhe Serbinë më pranë se kurrë drejt një marrëveshjeje përfundimtare paqeje.
Presidenti i Kosovës, që, asokohe, u ndalua të udhëtonte drejt Shtëpisë së Bardhë në mënyrë brutale për të nënshkruar atë marrëveshje, në praninë e presidentit Trump dhe në fakt kjo ishte çfarë u bë nga ai prokuror sikar që përndoqi edhe vetë presidentin Trump dhe për këtë u bë i famshëm botërisht.
Sot, Presidenti i Kosovës ka kaluar gjashtë vjet në një paraburgim nga një gjykate e posaçme në Hagë, e sponsorizuar nga një sërë shtetesh demokratike, disa prej tyre të pranishme dhe këtu dhe që duhet t’u vijë turp nga ajo lloj drejtësie ndërkombëtare.
Vetëm javën e kaluar, zoti President, një tjetër prokuror i financuar nga ky vend i madh e tatimpaguesit e tij, kërkoi 45 vjet burgim për të, një kërkesë që shkaktoi një valë tronditëse poshtërimi në të gjithë tërësinë e një vendi paqedashës.
Dhe në këtë moment ka vetëm disa muaj që qëndrojnë midis një njeriu, i cili u ngrit nga qëndresa ndaj spastrimit etnik për t’u shndërruar në një paqebërës dhe një rezultati shkatërrimtar nga një gjykatë që deri tani ka dështuar, në çdo hap t’u përmbahet standardeve të drejtësisë demokratike.
Për hir të Zotit, z. President, le të bëjmë diçka përpara se siç thoni ju, gjëra shumë të këqija të mund të ndodhin sërish.”
Mesazh për bashkëpunim rajonal
Në përmbyllje, Rama falënderoi për përfshirjen e Shqipërisë në një nismë që bashkon vende mike të Izraelit dhe vende arabe, duke shprehur shpresën se Shqipëria do të sjellë vlerë të shtuar në këtë vizion për paqen dhe stabilitetin ndërkombëtar.






