
TIRANË – Policia e Shtetit ka reaguar pas tensioneve të regjistruara gjatë tubimit të zhvilluar pasditen e sotme para godinës së Kryeministrisë dhe më pas pranë Kuvendit, duke bërë të ditur se 16 punonjës policie janë lënduar nga sulmet e protestuesve.
Sipas njoftimit zyrtar, një pjesë e protestuesve ushtruan “akte të rënda dhune” ndaj efektivëve dhe institucioneve shtetërore, duke përdorur bomba molotov, lëndë piroteknike dhe sende të forta.
Të plagosurit në spital
Efektivët e dëmtuar janë transportuar në spital për ndihmë mjekësore, pasi kanë pësuar djegie dhe dëmtime fizike.
Policia theksoi se gjatë gjithë tubimit u ka bërë thirrje me megafon personave të dhunshëm që të distancoheshin nga aktet e dhunës, por sulmet vijuan deri në përfundim të protestës.
Ministrja Koçiu vizitoi në shërbimin e Djegie-Plastikës në QSUNT, punonjësit e Policisë së Shtetit që po marrin ndihmë mjekësore.
“Ata mbetën të plagosur nga molotovët e hedhur në mënyrë barbare drejt tyre. Ledio 26 vjeç, Kreshniku 38, Enesi 21, Klevi 27, Bledari 27. Kundër tyre e kolegëve të tyre u përdorën molotovë, bomba artizanale të mbushura me lëndë djegëse, gurë, cdo gjë me të vetmin qëllim për goditur e dhunuar ata që janë në krye të detyrës.
Dua ta them qartë! Ata që goditën punonjësit e Policisë nuk janë protestues. Ata janë kriminelë të organizuar. Kur godet me të tilla mjete e bën duke e ditur se pasojat mund të jenë shumë, shumë të rënda.
Kjo nuk është protestë, këto nuk janë përplasje. Kjo quhet tentativë vrasjeje.
Pres nga institucionet ligjzbatuese të reagojnë fort ndaj kësaj sjellje të përsëritur të dhunës nga disa elementë kriminal, të nxitur nga persona me imunitet që inkurajojnë dhunën”, shkruan Ministrja e Punëve të Brendshme, në rrjetet sociale.






