Kryeministri Edi Rama ka prezantuar nismën ligjore për ndryshime në Kodin e Procedurës Penale, duke theksuar se ajo synon të qartësojë se ministrat dhe disa funksione të tjera të larta nuk mund të pezullohen nga detyra përmes një mase sigurie.

Gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Rama u shpreh ashpër ndaj atyre që, sipas tij, nuk interpretuan drejt frymën e Kushtetutës. “Boshllëku është në trutë e atyre që nuk i dhanë drejtim bazuar në modelin demokratik të ndarjes së pushteteve. Pezullimi nuk cenon personin, por funksionin,” deklaroi ai, duke e cilësuar situatën “skandaloze”.

“Lidhur me pezullimin, dua të jemi shumë të qartë bashkë. Belinda Balluku ma ka dorëzuar tri herë dorëheqjen. I kam aty, në dosje, tri herë: një herë kur iu ngrit akuza, herën e dytë kur u bë pezullimi i parë dhe herën e tretë pasi Gjykata Kushtetuese nuk mori vendim. Të tria herët jam unë që e kam refuzuar dorëheqjen, sepse dorëheqja nën presionin e një fuqie që ka dalë nga territori i vet dhe është futur në territorin e pavarësisë së pushtetit ekzekutiv nuk pranohet.

Jam falënderues për faktin që ajo nuk ka këmbëngulur, por ka vazhduar të marrë gjithë baltën mbi fytyrë, sepse unë nuk e pranoj dorëheqjen deri kur të plotësohen kushtet. Dhe se kur plotësohen kushtet nuk e përcakton dot as prokurori, as gjykatësi i seancës paraprake, as media dhe as gjyqi popullor.” deklaroi Rama.

 

Kreu i qeverisë shtoi se vendimet e ekzekutivit janë sovrane dhe nuk mund të vihen në dyshim nga prokurorë apo gjyqtarë. “Janë tre pushtete të pavarura. Nuk pezullohen njerëzit sikur të ishin simite,” tha Rama. Ai sqaroi se ky ndryshim nuk do të hidhet në votim para shqyrtimit të imunitetit të Ballukut.

 

Nga ana tjetër, deputeti Ulsi Manja, një nga propozuesit e nismës, theksoi se projektligji është në përputhje me Kushtetutën dhe nuk ndërhyn në kompetencat e pushtetit gjyqësor. Sipas tij, ndryshimet synojnë harmonizimin e funksioneve kushtetuese me procesin penal, duke respektuar parimin e proporcionalitetit.

Nisma vjen pas debateve mbi pezullimin e zyrtarëve të lartë, ndërsa mazhoranca argumenton se duhet një përcaktim më i qartë ligjor për ndarjen dhe balancimin e pushteteve.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu