
Një mërgimtar shqiptar nga Gjermania ka udhëtuar drejt Hagë për të ndjekur nga afër fazën përfundimtare të procesit gjyqësor ndaj ish-udhëheqësve të Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK), duke shprehur publikisht mbështetjen e tij.
Ilir Dakaj, i ardhur nga Shtutgarti, e ka mbështjellë veturën me flamurin e UÇK-së dhe deklaroi se ka marrë pjesë në protesta në disa qytete evropiane për të treguar solidaritet me të akuzuarit.
“Kam ardhur për mbështetjen e krerëve të UÇK-së që ndodhen këtu padrejtësisht prej më shumë se pesë vitesh dhe do të qëndroj deri në përfundim të procesit,” u shpreh ai.
View this post on Instagram
Dakaj tha se me Jakup Krasniqi ka njohje familjare, ndërsa me Rexhep Selimi ka qenë bashkë në shkollë. Për ish-presidentin Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, ai u shpreh me vlerësime të larta, duke shtuar se pret që të shpallen të pafajshëm, njësoj si në rastet e Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj.
Ndërkohë, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka përfunduar kundërpërgjigjet, duke pretenduar se ekzistojnë prova për fajësinë e katërshes së UÇK-së. Nga ana tjetër, ekipet mbrojtëse kanë kërkuar pafajësi, duke argumentuar se nuk ka prova që mbështesin akuzat.
Mbrojtësi i viktimave pritet të paraqesë argumentet e tij të mërkurën, pas së cilës secili nga të akuzuarit do të ketë nga 20 minuta për deklaratat përfundimtare. Kjo fazë konsiderohet vendimtare për procesin më të madh gjyqësor që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara të Kosovës./Kosovapress



