
Kryeministri Edi Rama u ka bërë thirrje deputetëve të Partisë Socialiste që të mos shkëputen nga zonat e tyre elektorale dhe të vijojnë punën në territor, duke theksuar se 83 mandatet e fituara në zgjedhjet e fundit përbëjnë një përgjegjësi të shtuar politike dhe morale për mazhorancën.
Gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të PS, të zhvilluar në Pallatin e Brigadave në prag të nisjes së sesionit parlamentar 2026, Rama theksoi se në zgjedhjet e vitit 2027, Partia Socialiste duhet të dalë para qytetarëve, si atyre që e kanë votuar ashtu edhe atyre që nuk e kanë mbështetur, për të dhënë llogari mbi përmbushjen e detyrimeve.

“Ribraktisja e territorit si në të shkuarën nuk do të jetë një opsion për këtë grup parlamentar. 83 mandatet imponojnë shumë gjëra për këtë forcë politike, duke filluar nga detyrimi që në fund të 2027-ës të dalim para atyre që na votuan dhe atyre që nuk na votuan dhe t’u themi se i bëmë detyrat tona”, u shpreh Rama.
Kryeministri nënvizoi gjithashtu rëndësinë e punës parlamentare në funksion të integrimit europian, duke këshilluar deputetët që të shmangin gabimet në trajtimin e ligjeve që lidhen me procesin e negociatave me Bashkimin Europian. Ai tha se draftet e ligjeve të dakordësuara me Komisionin Europian dhe skuadrën negociatore nuk duhet të relativizohen përmes krahasimeve me vende si Franca apo Gjermania.
“Që ta bëjmë si Franca apo Gjermania, duhet të jemi Franca apo Gjermania. Ne nuk e kemi këtë liri. Draftet që vijnë nga negociatat me BE-në duhet të miratohen, sepse përndryshe duhet të diskutojmë nëse duam apo jo të hyjmë në Bashkimin Europian”, deklaroi Rama, duke theksuar se Shqipëria përballet me kushte edhe më të rënda se Kroacia gjatë procesit të anëtarësimit.
Në mbledhje, Rama foli edhe për nevojën e modernizimit të Kuvendit, duke hedhur idenë e ndërtimit të një godine të re për Parlamentin e Shqipërisë dhe transformimin teknologjik të administratës parlamentare, si pjesë e përmirësimit të kushteve të punës për deputetët.

Një tjetër çështje e ngritur ishte siguria ushqimore, të cilën Kryeministri e cilësoi si një kriter thelbësor për integrimin europian. Rama paralajmëroi se ushqimet që nuk përmbushin standardet e sigurisë do të bllokohen, ashtu si në vendet e BE-së, duke kërkuar vendosmëri dhe përgjegjshmëri maksimale nga institucionet.
“Nuk do të falet askush. Gjithsekush duhet të vendoset në pozita përgjegjshmërie dhe pune, sepse koha nuk pret dhe puna për t’u bërë është shumë e madhe”, tha Rama, duke theksuar se vitet në vijim janë vendimtare për rrugën europiane të Shqipërisë.






