Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, i ka dërguar një ftesë zyrtare Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për ta përfaqësuar Kosovën në të ashtuquajturin “Bordi i Paqes”, si anëtare themeluese e kësaj nisme.

Lajmi është bërë i ditur nga vetë Osmani përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ajo ka publikuar edhe letrën e ftesës së presidentit amerikan. Në reagimin e saj, Osmani vlerëson rolin e Trumpit dhe e cilëson iniciativën si një hap të guximshëm drejt ndërtimit të paqes globale.

“Jam thellësisht e nderuar nga ftesa personale e Presidentit Trump për të përfaqësuar Republikën e Kosovës në Bordin e Paqes, si anëtare themeluese, krah për krah me SHBA-të në misionin për një botë më të sigurt”, shkruan Osmani.

Ajo thekson se Kosova qëndron si aleate e palëkundur e Shteteve të Bashkuara, duke kujtuar rolin vendimtar të SHBA-së në vendosjen e paqes në Kosovë, ndërsa shton se “historia i mban mend ata që bëjnë hapa të guximshëm në ndërtimin e paqes”.

Më herët, në këtë bord është ftuar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, duke e përfshirë kështu Shqipërinë dhe Kosovën në këtë iniciativë të shpallur nga presidenti amerikan.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka uruar Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, për marrjen e ftesës për t’u bërë pjesë e Bordit të Paqes, një iniciativë e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.

Rama e ka vlerësuar këtë ftesë si një gjest tejet domethënës ndaj Kosovës, duke theksuar se ajo forcon më tej marrëdhëniet mes SHBA-së dhe popullit shqiptar.

Më tej Rama shtoi se kjo ftesë përbën gjithashtu një sinjal të qartë për sigurinë dhe përkatësinë e Kosovës në hapësirën e interesit të gjerë amerikan në botë.

“Urime zonja Presidente, e dashur Vjosa, për marrjen e ftesës për t’u bërë pjesë e Bordit të Paqes, një gjest tejet domethënës i Presidentit Trump ndaj Kosovës, që forcon më tej marrëdhënien e Amerikës mike me popullin shqiptar, por që edhe jep një sinjal domethënës për sigurinë e përkatësinë e Kosovës në hapësirën e interesit të gjerë amerikan në botë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu