Tiranë – Një përplasje e fortë verbale u regjistrua në Kuvend mes Kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe Drejtuesit Politik të PS për Diasporën, Taulant Balla, dhe deputetit Agron Shehaj, ku Balla e akuzoi drejtpërdrejt këtë të fundit për vjedhje të të dhënave personale dhe të listës së anëtarëve të Partisë Demokratike.

Në replikën e parë, Balla iu referua një vendimi të një autoriteti të pavarur në Republikën e Shqipërisë, duke deklaruar se Shehaj është dënuar me vendim të formës së prerë për marrje të paligjshme dhe përdorim pa leje të të dhënave personale.

“Tani, ky që sapo foli, kam përpara një vendim të një autoriteti të pavarur në Republikën e Shqipërisë, i cili e ka dënuar me vendim të formës së prerë se i ka vjedhur Partisë Demokratike të dhënat dhe listat e anëtarëve të saj”, u shpreh Balla nga foltorja.

Ai shtoi se përgjegjësia politike për përfshirjen e Shehajt në radhët e PD-së i takon ish-kreut të saj, Lulzim Basha, ndërsa ironizoi edhe mungesën e Sali Berishës në Këshillin e Europës. “Nuk ke faj për këtë, është prurje e Lulit ky”, deklaroi Balla.

Më tej, ai ftoi Shehajn të shprehej publikisht nëse ekziston apo jo një vendim për dënimin e tij dhe të subjektit politik që përfaqëson për vjedhje të të dhënave personale. Balla theksoi se nuk po i referohej një çështjeje tjetër ende në proces, por konkretisht rastit të vjedhjes së listës së anëtarëve të PD-së.

Në replikën e dytë, Balla e ashpërsoi më tej tonin, duke deklaruar se nuk flet kurrë pa dokumente dhe se kishte me vete vendimin përkatës. “Nuk flas kurrë pa letra përpara, gjithmonë kam një letër përpara”, tha ai.

“Kam një vendim këtu, Goni, kam një vendim që je dënuar me gjobë 10.000 euro për vjedhje të të dhënave personale”, deklaroi Balla, duke shtuar se akuza ndaj Shehajt nuk është ngritur vetëm prej tij, por edhe nga sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka.

Sipas Ballës, Shehaj ka përdorur pa leje të dhënat e anëtarëve të PD-së për t’u dërguar komunikime elektronike, ndërsa u shpreh se vendimi është i disponueshëm për këdo që dëshiron ta shohë. “Vendimin ja ku e ke, kur të duash, sa herë të duash”, tha ai.

Në vijim, Balla iu referua edhe faktit që Shehaj mban dy pasaporta, italiane dhe shqiptare, duke theksuar se, sipas tij, ai duhej të ishte një zë për marrëdhëniet me diasporën shqiptaro-italiane dhe jo pjesë e një debati të tillë.

“Kjo është e vërteta”, përfundoi Balla, ndërsa debati u shoqërua me ndërhyrje nga drejtuesja e seancës për ruajtjen e rendit në sallë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu