
Ka nisur në Kuvend seanca plenare për ratifikimin e pjesëmarrjes së Shqipërisë në Bordin e Paqes, ndërsa në sallë është i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama, në një kohë kur në Davos të Zvicrës sapo ishte zhvilluar ceremonia ndërkombëtare e firmosjes së Kartës, me pjesëmarrjen e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe liderëve të tjerë botërorë.
Opozita ngriti pikëpyetje mbi mungesën e Kryeministrit Rama në Davos, duke kërkuar llogari pse Shqipëria po përfaqësohet në Tiranë, ndërkohë që në skenën ndërkombëtare po firmoset zyrtarisht nisma e Bordit të Paqes.
Shqetësimeve u dha përgjigje vetë Edi Rama nga salla e kuvendit.
“Shqetësoheni sepse kuptoj jeni shumë i shqetësuar pse unë nuk jam atje, se mezi prisnit që të më shikonit atje.
Në fakt duhet bërë një zgjedhje midis t’i përgjigjesha ftesës së babait apo të mirëprisja vajzën këtu në Shqipëri dhe zgjodha vajzën.
Dhe.
Dhe.
Dhe natyrisht, dhe natyrisht që vajzën e zgjodha me lejen e babait.
E dyta, duke qenë se zoti Mediu është ura që lidh Amerikën me rrugën e shpresës, unë prisja nga zoti Mediu në fakt që të hidhte poshtë pretendimin e Britanisë dhe të mbante anën e Amerikës.
Po s’ka problem se.
Nuk shohim ne asnjë arsye për të bërë divergjenca të tilla, kështu që zoti Mediu, rrini i qetë.
Analizat i kanë bërë ata që na kanë ftuar dhe ne nuk na ka ardhur akoma koha të analizojmë ata që na ftojnë.”
View this post on Instagram
Deputetët e opozitës kanë akuzuar mazhorancën për përdorim politik të procesit të ratifikimit dhe për përpjekje për ta shfrytëzuar seancën si instrument propagandistik, në vend që Shqipëria të përfaqësohej në nivel të lartë në forumin ndërkombëtar ku po marrin pjesë disa krerë shtetesh dhe qeverish.
Nga ana tjetër, mazhoranca ka mbrojtur zhvillimin e seancës në Kuvend, duke theksuar se ratifikimi parlamentar është një akt kushtetues i domosdoshëm, që i hap rrugë angazhimit formal të Shqipërisë në Bordin e Paqes.
Në Davos, ceremonia e firmosjes u zhvillua në prani të Presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, si dhe liderëve nga disa vende, mes tyre Kosova, Hungaria, Argjentina, Katari dhe Azerbajxhani, ndërsa Presidentja Vjosa Osmani po përfaqëson Kosovën në këtë nismë ndërkombëtare.



