
TIRANË – Gjykata Kushtetuese po mban sot seancën për shqyrtimin e masës së sigurisë “pezullim nga ushtrimi i detyrës publike”, të vendosur nga Gjykata e Posaçme (GJKKO) ndaj zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Seanca vjen pas ankimit të kryeministrit Edi Rama, i cili kundërshton vendimin e GJKKO-së, duke pretenduar se është shkelur kompetenca kushtetuese e kreut të ekzekutivit.
Kryeministri Rama e ka cilësuar ndërhyrjen e gjyqësorit në pezullimin e një ministri si një precedent të rrezikshëm, që sipas tij cenon ndarjen e pushteteve dhe hap rrugë për presione politike ndaj qeverisë. Ai e ka argumentuar ankimin si një betejë për mbrojtjen e pavarësisë së pushtetit ekzekutiv dhe të kompetencave kryeministrore.
Belinda Balluku u pezullua nga detyra me vendim të GJKKO-së, pasi u mor e pandehur për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera. Sipas SPAK, ajo dyshohet se ka manipuluar dy procedura tenderimi me vlerë rreth 210 milionë euro, në bashkëpunim me vartësit e saj Evis Berberi, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi, duke favorizuar kompani të caktuara. Dosja përfshin gjithashtu edhe akuza për shkelje të barazisë në tendera lidhur me projektin e Unazës së Madhe.
Aktualisht, Balluku është rikthyer përkohësisht në detyrë, pas një vendimi paraprak të Gjykatës Kushtetuese, deri në shqyrtimin përfundimtar të ankimit të kryeministrit. Megjithatë, masa e ndalimit të daljes jashtë vendit dhe bllokimi i pasaportës, e vendosur nga GJKKO, mbetet ende në fuqi.
Belinda Balluku është pjesë e kabinetit qeveritar që prej vitit 2019 dhe prej më shumë se pesë vitesh drejton një nga dikasteret më të rëndësishme të qeverisë, atë të Infrastrukturës dhe Energjisë. Vendimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë jo vetëm në çështjen konkrete, por edhe në raportet mes pushtetit ekzekutiv dhe atij gjyqësor.






