
Qyteti i Durrësit është përfshirë nga përmbytje të shumta si pasojë e reshjeve intensive të shiut që kanë rënë gjatë orëve të fundit. Situata paraqitet problematike në disa lagje, ku rrugët janë mbuluar nga uji, duke vështirësuar ndjeshëm qarkullimin e automjeteve dhe të këmbësorëve.
Në disa akse rrugore, niveli i ujit ka arritur deri në rreth 50 centimetra, duke krijuar vështirësi serioze për lëvizjen dhe duke shkaktuar bllokime të përkohshme.
Reshjet e dendura kanë sjellë probleme edhe në institucionet publike. Sipas raportimeve, është përmbytur edhe burgu i Durrësit, ndërsa strukturat përkatëse janë angazhuar për menaxhimin e situatës.
Të paraburgosurit, mes tyre Ilir Beqaj dhe Erion Veliaj, pas përmbytjes së qelive në katin e parë janë transferuar në katin e dytë.
Si pasojë e rrezikut të shtuar, 8 familje janë evakuuar nga banesat e tyre për shkak të depërtimit të ujit dhe dëmtimeve të mundshme.
Ndërkohë, autoritetet vendore kanë njoftuar se shkollat, kopshtet dhe çerdhet në Durrës do të jenë pushim, deri në normalizimin e situatës.







