
Ka nisur me debate të forta mbledhja e Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve në Kryesinë e Kuvendit, e thirrur këtë të hënë, 23 shkurt, për të shqyrtuar kërkesën për heqjen ose jo të mandatit të deputetes Belinda Balluku, e pezulluar nga detyra pas vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese.
Mbledhja u shoqërua me përplasje që në minutat e para. Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, akuzoi mazhorancën për zvarritje të qëllimshme të procedurës dhe pengim të drejtësisë.
“Për më shumë se dy muaj keni penguar drejtësinë, keni shkelur Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit”, është shprehur Bardhi, duke iu referuar kërkesës së Prokurorisë për arrestimin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Ai kërkoi që mbledhja të zhvillohet e hapur për mediat, duke argumentuar se transparenca është detyrim ligjor dhe moral ndaj publikut.
“Duke respektuar kërkesën e prokurorisë për ruajtjen e sekretit hetimor, mendoj se mbledhja duhet të jetë e hapur. Vetëm në rastet kur prokurori dëshiron të ndajë një informacion që përbën sekret hetimor, ajo pjesë të zhvillohet me dyer të mbyllura”, deklaroi Bardhi.
Sipas tij, në parim, mbledhjet e organeve të Kuvendit janë të hapura dhe nuk ka arsye që kjo seancë të mbahet me dyer të mbyllura. Bardhi akuzoi mazhorancën se po tenton të fshehë nga publiku, sipas tij, “vjedhjen e miliona eurove nga Belinda Balluku dhe bashkëfajësinë e Edi Ramës në këtë çështje”.
Mbledhja e Këshillit të Mandateve pritet të vendosë mbi kërkesën e Prokurorisë, ndërsa situata politike mbetet e tensionuar.



