Adnan Xholi, Doloreza Musabelliu,Elvin Gokaj,Klodian Braho

Gazetarja Klodiana Lala deklaroi në “Opinion” se zgjedhja e kreut të ri të SPAK ka krijuar një përplasje të heshtur mes qeverisë dhe ndërkombëtarëve, të cilët, sipas saj, kanë një kandidat të preferuar dhe do të jenë fizikisht të pranishëm në KLP për të monitoruar procesin. Lala theksoi se gara mes katër kandidatëve – Doloreza Musabelliu, Adnan Xholi, Klodian Braho dhe Elvin Gokaj – do të ndiqet nga dhjetëra diplomatë, ndërsa ndërkombëtarët kërkojnë një figurë që politika nuk e kontrollon dot.

Me këtë analizë përputhet edhe ajo e avokatit Leonard Karaj në “Repolitix”, i cili tha se BE priret drejt Adnan Xholit për shkak të profilit teknik dhe balancës institucionale që ai ofron, ndërsa SHBA ka shfaqur simpati për Klodian Brahon, duke e parë më pranë qasjes së tyre ndaj luftës kundër kriminalitetit.

Sipas Karajt, gara reale është pikërisht mes Xholit dhe Brahos, ndërsa pasuesi i Altin Dumanit do ta ketë më të lehtë nisur nga konsolidimi i SPAK dhe pritshmëritë tashmë të qarta të partnerëve ndërkombëtarë.

Sot në orën 09:00, Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të nisë procesin e intervistimit të kandidatëve për postin e drejtuesit të SPAK, duke i thirrur ata sipas rendit alfabetik.

Gjatë seancës, katër pretendentët Adnan Xholi, Doloreza Musabelliu, Elvin Gokaj dhe Klodian Braho, do të prezantojnë vizionin dhe programin e tyre për drejtimin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Pasuesi i Dumanit pritet të shpallet po më 11 dhjetor ndërsa zyrtarisht do e marrë detyrën më 19 dhjetor, datë kur do të mbahet ceremonia formale e dorëzimit të kompetencave.

Një ditë para zgjedhjes së kreut të ri të SPAK, zëvendësdrejtori i SHBA për Evropën Perëndimore dhe Qendrore, Lyn Debevoise ka vizituar SPAK dhe kryeprokurorin Altin Dumani. Në një postim të ndarë nga Ambasada Amerikane, thuhet se Debevoise ka vlerësuar punën e kreut në ikje të SPAK.

“Përballja me krimin ndërkombëtar kërkon një angazhim të përbashkët. Sot, Zëvendësdrejtori për Çështjet e Europës Perëndimore Qendrore Lyn Debevoise vizitoi SPAK-un për të shprehur vlerësimin e Shteteve të Bashkuara për punën e Kryeprokurorit të Posaçëm Altin Dumani me agjencitë amerikane të zbatimit të ligjit për t’u përballur me rrjetet e paligjshme që kërcënojnë sigurinë e Shteteve të Bashkuara dhe për të luftuar korrupsionin që pengon kompanitë dhe investitorët amerikanë. Përpjekjet e z. Dumani vendosën standardin për bashkëpunim të fortë mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë kundër organizatave kriminale ndërkombëtare, i cili shpresojmë se do të vazhdojë me pasardhësin e tij”, shkruhet në postin e Ambasadës.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu