
Një operacion i koordinuar linçimi në rrjete sociale ka vënë në shënjestër gazetarë nga Shqipëria dhe Kosova, të cilët udhëtuan së fundmi në Izrael për qëllime profesionale dhe raportimi. Sulmet, të fokusuara kryesisht në platformën Facebook, përfshijnë një gjuhë agresive, akuzuese dhe denigruese, që tejkalon çdo kritikë normale mediatike.
Burime të sigurisë dhe shërbimeve inteligjente, që folën për AIA.AL, bëjnë të ditur se kemi të bëjmë me një reagim të sinkronizuar, ku postimet janë shpërndarë në të njëjtën kohë, me narrativa të njëjta, gjuhë të ngjashme dhe etiketime identike ideologjike.
Sipas këtyre burimeve, një pjesë e profileve dhe faqeve që po udhëheqin këtë fushatë lidhen me qarqe radikale islamike aktive në Shqipëri dhe rajon, të njohura për qëndrime ekstremiste dhe për shfrytëzimin e konflikteve në Lindjen e Mesme për nxitje urrejtjeje dhe polarizim shoqëror.
Hetimi i AIA.AL tregon se përfshirja nuk kufizohet vetëm në sulme verbale. Burimet inteligjente konfirmojnë se para nga qarqe ekstremiste islamike kanë përfunduar edhe te disa gazetarë dhe figura mediatike, me qëllim amplifikimin e narrativës kundër kolegëve që udhëtuan në Izrael dhe krijimin e presionit publik mbi ta.
Kjo formë ndërhyrjeje konsiderohet si tentativë e drejtpërdrejtë për ndikim në diskursin mediatik, duke përdorur spiralen e frikësimit social dhe delegjitimimit profesional.
Gazetarët e linçuar akuzohen publikisht për “anshmëri politike”, “bashkëpunim” apo “propagandë”, pavarësisht faktit se udhëtimet e tyre janë pjesë e praktikës profesionale ndërkombëtare të medias.
Ekspertë të sigurisë theksojnë se qëllimi kryesor i kësaj fushate është:
frikësimi i gazetarëve,
vetëcensura,
dhe imponimi i një narrative të vetme ideologjike mbi raportimin ndërkombëtar.
Të gjitha burimet nënvizojnë qartë se këto veprime nuk përfaqësojnë komunitetin mysliman në tërësi, por një minorancë radikale që vepron në mënyrë të organizuar, kryesisht në hapësirën digjitale.
Përpjekja për të instrumentalizuar fenë për të goditur lirinë e medias konsiderohet një rrezik serioz për rendin demokratik dhe kohezionin shoqëror.
Nevoja për reagim institucional
Rasti ka rikthyer shqetësimet për:
mungesën e mbrojtjes efektive të gazetarëve online,
financimin e errët të propagandës ideologjike,
dhe mosndëshkimin e linçimit digjital të organizuar.
Sipas informacioneve të AIA.AL, institucionet përkatëse janë duke monitoruar situatën dhe duke po hetohen personat që janë angazhuar me këto shkrime, për diskriminim publik dhe antisemitizëm.




