Dalja e Ervin Salianjit nga burgu duket se ka prodhuar një efekt të çuditshëm në sjelljen e tij politike: një lloj vetëbindjeje se është bërë protagonist qendror, hero i opozitës dhe simbol i një lëvizjeje që në realitet… nuk ekziston. Kjo megallomani e papërmbajtur është bërë edhe më e dukshme në ndërhyrjet e tij të fundit live, reagimet e nxituara, deklaratat e fryra dhe pretendimet për “200 mijë vota të mbledhura në një kafe”.

Në politikë, ekziston një vijë e hollë mes ambicies dhe delirimit të rolit personal. Salianji, dukshëm, e ka kaluar këtë vijë.

Nga “i persekutuari politik” te “heroi i vetëshpallur”

Që nga momenti që u lirua, ai duket sikur e sheh veten si një figurë heroike që meriton kurora fitoreje dhe duartrokitje, një narrativë që nuk përputhet me realitetin politik. Nuk është lider, nuk ka bazë, nuk ka strukturë dhe nuk ka karizëm — por shpesh reagon sikur ndodhet në krye të një revolucioni imagjinar.

Sikur fati i PD-së varet nga mesazhet live që ai i dërgon moderatorëve në televizion.

Në fakt, kjo sjellje prodhon një imazh: atë të një protagonizmi të sforcuar, ku çdo gjest bëhet për të dëshmuar se ai “është në lojë”, edhe kur loja nuk e ka ftuar.

Roli i Grida Dumës — ambicia që i fryn egon Don Kishotit të PD-së

S’ka dyshim se ndikimi i Grida Dumës është i pranishëm. Për ambicien e saj politike është folur gjithmonë: një ambicie që shpesh ngjan me figurën e Lady Macbeth-it — e vendosur, e ftohtë, e strategjizuar, e gatshme të shtyjë partnerin drejt skenës për të marrë atë çka vetë s’mund ta marrë.

Në këtë kuptim, Salianji shpesh duket më shumë projekti i saj politik sesa një politikan me peshë reale.

Këtu kemi një ekuacion të thjeshtë:

një politikan pa karizëm, pa bazë dhe pa strukturë;

i shtyrë nga një partnere tejet ambicioze, që e përdor si mjet politik;

plus etja personale për protagonizëm;

= rezultati: një Don Kishot politik, që i ngre shpata kundër mullinjve të erës dhe e beson vërtet se po shpëton PD-në.

Perceptimi i publikut — “show”, jo strategji

Në sytë e shumë demokratëve, të gjithë këta gjeste nuk duken si lëvizje serioze politike. Duken si përpjekje për të ndërtuar një imazh heroik aty ku s’ka as bazë reale dhe as mbështetje.

Kjo është arsyeja pse edhe reagimi i Gazment Bardhit ishte kaq i ftohtë: “thjesht kanë pirë një kafe”. Një fjali që i zhbën gjithë mitologjinë që Salianji përpiqet t’i ngjisë vetes.

Dhe me të drejtë.

Sepse politika nuk bëhet me kafe, selfie dhe mesazhe live. Nuk bëhet as me ngritje zëri, as me fryrje numrash dhe as me iluzione protagonizmi. Dhe mbi të gjitha, nuk bëhet duke u sjellë si hero i një filmi që nuk po xhirohet.

Salianji do të donte të ishte kalorësi i opozitës. Por sot, realiteti është krejt tjetër: ai ngjan si Don Kishoti i PD-së, që lufton kundër mullinjve të erës, ndërsa të tjerët në parti thjesht e shohin — dhe vazhdojnë rrugën e tyre.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu