Kombëtarja e Shqipërisë ka marrë një fitore të rëndësishme ndaj Andorrës, në ndeshjen e parafundit të Grupit K për kualifikueset e Botërorit 2026, duke mbajtur gjallë objektivat për fazën finale. Sfida u luajt mbrëmjen e sotme në orën 20:45, teksa vëmendja ishte e ndarë edhe te dueli paralel Angli–Serbi, i cili mund të ndikojë në ecurinë e grupit.

Pjesa e parë: Traversa i mohon golin Gjimshitit

Pavarësisht dominimit të qartë në lojë, pjesa e parë u mbyll pa gola. Rasti më i mirë erdhi në minutën 45+1, kur kapiteni Berat Gjimshiti goditi saktë me kokë pas një goditjeje këndi, por traversa e ndali duke i mohuar Shqipërisë avantazhin. Në vijim, topi shkoi te Manaj, por tentativa e tij përfundoi jashtë.

Pjesa e dytë: Asllani zhbllokon ndeshjen

Kuqezinjtë nisën fort pjesën e dytë dhe pas një presioni të vazhdueshëm, erdhi edhe momenti vendimtar. Në minutën 67’, mesfushori Kristian Asllani gjeti rrjetën me një goditje të saktë, duke zhbllokuar rezultatin dhe duke i dhënë Shqipërisë epërsinë që e meritoi që prej fillimit.

Pas golit, skuadra pati sërish disa raste të pastra shënimi, por mungesa e saktësisë në finalizim bëri që rezultati të mbetej 0-1 deri në fund. Megjithatë, fitorja mban gjallë shpresat e Shqipërisë për të avancuar në Botërorin 2026.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu