Një ikonë e thjeshtë e Jezusit dhe Marisë, e blerë për vetëm 20 dollarë, po trondit komunitetin fetar në Honolulu të Shteteve të Bashkuara. Imazhi, i vendosur në Kishën Ortodokse Ruse Holy Theotokos of Iveron, ka filluar të lëshojë pika rrëshire aromatike që në Bibël përmendet si dhurata e të urtëve për Krishtin e sapolindur.

Sipas famullitarit të kishës, At Nectarios Yangson, fenomeni nisi fundin e shtatorit, kur aroma e fortë e rrëshirës u ndje në shtëpinë dhe makinën e tij. “Nuk mund ta shpjegoja. Pastaj vumë re një pikë që dilte nga gjuri i majtë i foshnjës Jezus në ikonë,” tha ai në një letër drejtuar komunitetit.

Ikona, kopje e famshme e “Iveron Montreal”, prej asaj kohe “rrjedh” vazhdimisht rrëshirë, e cila, sipas besimtarëve, ka veti shëruese për sëmundje si paraliza, dhimbjet kronike, madje edhe kanceri.

“Disa ditë ikonat janë të thata, ndërsa ditë të tjera mbulohen me rrëshirë, por gjithmonë lëshojnë aromë trëndafili. Është një mrekulli e madhe,” shtoi At Nectarios.

Lajmi është përhapur me shpejtësi, duke tërhequr pelegrinë nga vende të ndryshme të botës. Besimtarët mblidhen çdo ditë në kishë për të parë ikonën dhe për të prekur rrëshirën e shenjtë, të cilën shumë e mbledhin në shishe të vogla si kujtim bekimi.

Që prej vitit 2008, Kisha Ortodokse Ruse i ka dhënë ikonës “Iveron” status zyrtar fetar, duke i lejuar famullitarit ta çojë në më shumë se 100 kisha në SHBA dhe Evropë, ku mijëra njerëz kanë dëshmuar “mrekulli shërimi”.

Kjo nuk është hera e parë që imazhet e Krishtit shkaktojnë habi: vetëm pak javë më parë, arkeologët në Turqi zbuluan një bukë të djegur 1,200-vjeçare që mbante shenjën e fytyrës së Jezusit dhe mbishkrimin “Me mirënjohje për Jezusin e Bekuar”.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu