
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë, ku një sherr mes punonjësve të një lokali ka përfunduar me një viktimë.
Sipas Policisë, rreth orës 15:30, në ambientet e lokalit “City Lounge”, Filip Shehu, 41 vjeç, dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta ka goditur me thikë Indrit Ismaillarin, 34 vjeç, i cili punonte si kamerier në të njëjtin lokal. I plagosuri u dërgua menjëherë në spital, por nuk mundi t’u mbijetojë plagëve.
“Rreth orës 15:30, në zonën e Komunës së Parisit, në ambientet e një lokali, shtetasi F. Sh., rreth 41 vjeç, dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me mjet prerës shtetasin I. I., rreth 34 vjeç, të dy punonjës të lokalit”, njoftoi Policia e Tiranës.

Mësohet se përplasjet mes të dyve kanë qenë të shpeshta dhe se autori i dyshuar kishte pretenduar më parë se ishte bullizuar nga viktima. Shehu u arrestua menjëherë pas ngjarjes, ndërsa grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të motiveve dhe rrethanave të krimit.







