Skandali me pjeshkët e Divjakës të kontaminuara me nikel po ngre shumë pikëpyetje mbi sigurinë ushqimore dhe kontrollin e produkteve bujqësore në vend. Sipas njoftimit zyrtar të Ministrisë së Bujqësisë, 5,562 kg pjeshka të eksportuara drejt Kroacisë janë asgjësuar menjëherë pasi u konstatua se kishin nivele të larta të këtij metali të rrezikshëm.

Në deklaratën e datës 22 gusht, ministria thekson se produkti nuk ka hyrë në tregun vendas dhe nuk është konsumuar nga qytetarët shqiptarë:

“Subjekti disponon sistem gjurmueshmërie dhe u verifikua se i gjithë produkti është eksportuar dhe nuk është shpërndarë në tregun vendas”, – thuhet në komunikatë.

Megjithatë, nuk ka asnjë sqarim se si pjeshkat u kontaminuan, duke lënë hapur dy pista hetimi që po shqyrtohen nga ekspertët.

Nikeli – rrezik për jetën dhe shëndetin

Nikeli, sipas specialistëve, është një nga metalet më të rrezikshme për organizmin e njeriut.

Eksperti i sigurisë ushqimore, Kapllan Sulaj, shpjegon se përveç problemeve alergjike, ky metal mund të shkaktojë dëmtime të frymëmarrjes dhe është tepër kancerogjen:

“Nikeli është një metal shumë i rrezikshëm. Nxit sëmundjet alergjike, dëmton aparatin e frymëmarrjes dhe është në listën e metaleve më kancerogjene që ekzistojnë.”

Dy pistat kryesore të hetimit

Ekspertët janë të ndarë mes dy mundësive se nga ka ardhur ndotja:

1. Pesticidet me metale të rënda
Sulaj paralajmëron se pesticidet moderne që përdoren për të luftuar insektet mund të kenë në përbërje nikel ose elementë të tjerë toksikë.

“Pesticidet e reja kanë metale të rënda. Nikeli bllokon frymëmarrjen e gjallesave dhe nëse spërkatet mbi bimë, ai kalon në fruta dhe më pas në organizmin e njeriut,” – thotë Sulaj.

2. Ujërat e ndotur të Devollit dhe Shkumbinit
Eksperti i sigurisë ushqimore, Shpend Ahahini, ngre një tjetër alarm: kontaminimi mund të ketë ardhur nga ujitja e tokave me ujëra të ndotura nga lumenjtë Devoll dhe Shkumbin.

“Pjeshka mund të jetë kontaminuar për shkak të ujit të lumenjve që mbartin metale të rënda. Por para se të flasim me siguri, duhen bërë analiza të plota dhe të detajuara,” – thekson Ahahini për TCH.

Përgjegjësia ende e paqartë

Ndërsa pjeshkat e rrezikshme janë shkatërruar, pyetja kryesore mbetet “Kush i helmoi pjeshkat?” – fermeri me spërkatje të pakontrolluara, toka e ndotur, apo sistemi i ujitjes që furnizohet nga lumenjtë.

Ekspertët kërkojnë që hetimet të shkojnë deri në fund dhe sistemi i gjurmueshmërisë të mos përdoret vetëm për të treguar ku përfundon produkti, por për të identifikuar shkakun e ndotjes.

Nëse burimi nuk përcaktohet, rreziku që situata të përsëritet mbetet i lartë, duke vënë në pikëpyetje sigurinë ushqimore dhe besimin e konsumatorëve shqiptarë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu