
Kryetari i opozitës, Sali Berisha, ka publikuar sot të dhëna të reja për atë që ai e quan “perfeksionimi i sistemit të patronazhimit” nga Partia Socialiste gjatë dy viteve të fundit, duke e cilësuar këtë praktikë si shkatërrimtare për proceset zgjedhore dhe në kundërshtim me Kushtetutën, Kodin Zgjedhor dhe standardet ndërkombëtare të zgjedhjeve të lira.
Berisha u ndal sërish te qarku i Fierit, duke theksuar se aty sistemi është institucionalizuar nën drejtimin e ministres Belinda Balluku, por shtoi se patronazhimi funksionon njësoj në të gjithë vendin.
Sipas tij, në zgjedhjet e 11 majit 2025, Partia Socialiste e ktheu patronazhimin në një “rrjet të strukturuar dhe të institucionalizuar kontrolli politik”:
- nëpunësit civilë u përdorën si instrument presioni ndaj qytetarëve;
- shërbimet publike dhe siguria e vendit të punës u keqpërdorën për të ndikuar në sjelljen elektorale;
- sistemi u përdor si në Shqipëri, ashtu edhe në diasporë.
Berisha kujtoi se origjina e këtij fenomeni daton që në vitin 2021, kur në media u publikua një database me mbi 910 mijë qytetarë, të cilët ishin përfshirë në një skemë survejimi politik nga “patronazhistë” – punonjës të administratës publike me detyrë të ndiqnin dhe të ushtronin presion mbi zgjedhësit.
Ai akuzoi se, pavarësisht kritikave të OSBE/ODIHR, Këshillit të Europës dhe Parlamentit Europian, gjatë viteve 2023–2025 qeveria jo vetëm që nuk ndërmori asnjë reformë për ta ndalur këtë praktikë, por e zgjeroi edhe më tej: ministritë, bashkitë dhe ndërmarrjet publike u shndërruan në struktura elektorale, ndërsa database i patronazhimit administrohet nga AKSHI, nën drejtimin e Mirlinda Karçanajt, me akses direkt nga kryeministri Edi Rama dhe drejtuesit politikë të PS-së.
“Ky është një sistem kriminal që shkel Kushtetutën, shndërron administratën publike në makineri elektorale dhe dhunon votën e lirë të qytetarëve shqiptarë”, deklaroi Berisha, duke paralajmëruar se opozita do ta denoncojë këtë praktikë në të gjitha institucionet vendase dhe ndërkombëtare.