Deklaratë për shtyp – Komiteti për Punët e Jashtme (AFET) 

Përshpejtoni reformat në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe lirinë e medias

Adresoni polarizimin politik dhe ndikimin e huaj me prapavijë keqdashëse

Eurodeputetët përshëndesin objektivin e Shqipërisë për të përmbyllur negociatat e anëtarësimit deri në fund të vitit 2027

Komiteti për Punët e Jashtme ka vlerësuar përkushtimin e palëkundur të Shqipërisë ndaj anëtarësimit në BE në një raport të miratuar të mërkurën.

Eurodeputetët theksojnë konsensusin e gjerë politik dhe mbështetjen e fortë publike në Shqipëri për t’u bashkuar me BE-në, si dhe përputhshmërinë e plotë të vendit me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së, në një raport që u miratua nga Komiteti për Punët e Jashtme me 57 vota pro, 11 kundër dhe 6 abstenime.

Nevoja urgjente për thellimin e reformave

Ndërsa përshëndesin synimin e Shqipërisë për të përmbyllur negociatat e anëtarësimit deri në vitin 2027 dhe progresin e deritanishëm, eurodeputetët theksojnë nevojën urgjente për të intensifikuar reformat. Prioritetet kryesore përfshijnë forcimin e pavarësisë së gjyqësorit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe mbrojtjen e të drejtave themelore. Rritja e pluralizmit dhe transparencës në media mbetet thelbësore për ndërtimin e besimit publik.

Dialog politik dhe kundër ndikimeve të huaja

Raporti vëren polarizimin e vazhdueshëm politik, i karakterizuar nga retorika konfrontuese, dhe bën thirrje për një dialog më konstruktiv dhe gjithëpërfshirës politik. Eurodeputetët shprehin shqetësim serioz për ndikimin e huaj keqdashës, veçanërisht nga burime të lidhura me Kremlinin, të cilat kërcënojnë institucionet demokratike të Shqipërisë dhe aspiratat e saj për anëtarësim në BE. Ata kërkojnë forcimin e rezistencës institucionale ndaj abuzimeve me financimet politike, manipulimeve mediatike dhe kërcënimeve kibernetike.

Mbështetje përmes iniciativave të BE-së

Eurodeputetët përshëndesin instrumentin e ri prej 922 milionë eurosh – “Fondi për Reforma dhe Rritje” – të dedikuar për Ballkanin Perëndimor, i cili do të mbështesë Agjendën e Reformave të Shqipërisë sapo të përmbushen kushtet. Hapja e zyrës përfaqësuese të Parlamentit Evropian në Tiranë shihet si një hap vendimtar për të forcuar lidhjet ndërmjet BE-së, institucioneve lokale dhe partnerëve të shoqërisë civile në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Procesi zgjedhor dhe reformat në drejtësi

Raporti ndalet edhe te zgjedhjet parlamentare të majit 2025, të cilat i cilëson si konkurruese, por të zhvilluara në një mjedis shumë të polarizuar, me shqetësime për përdorimin e burimeve administrative. Eurodeputetët u bëjnë thirrje partive politike shqiptare të angazhohen për reforma tërësore zgjedhore në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias.

Përparimi në reformat gjyqësore dhe hetimet mbi korrupsionin në nivelet e larta përshëndeten, ndonëse ndërhyrjet politike mbeten sfiduese. Eurodeputetët kërkojnë përpjekje të vazhdueshme për të ruajtur pavarësinë e gjyqësorit dhe për të rritur llogaridhënien.

Citim

Raportuesi Andreas Schieder (S&D, Austri) deklaroi:
“Shqipëria mund të quhet me krenari një ‘udhëheqëse’ ndër vendet kandidate për anëtarësim në BE. Kjo, pjesërisht falë mbështetjes së gjerë nga popullsia shqiptare. Por ende nuk jemi në vijën e finishit. Është thelbësore të vazhdohet në këtë rrugë me të njëjtin ritëm dhe përkushtim, duke luftuar korrupsionin dhe forcuar sundimin e ligjit. Duhet të theksohet nevoja për të zgjeruar modelin ekonomik, për të krijuar vende pune dhe për të përmirësuar modelin e mirëqenies sociale, si dhe për një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse dhe të plotë.”

Hapat e ardhshëm

Raporti do t’i paraqitet për votim në një seancë të ardhshme plenare të Parlamentit Evropian.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu