Në garën e ethshme për të komentuar konfliktin Iran-Izrael, një garë që dikur bëhej për “Çështjen e Gjirit” dhe la pas idiomat e përjetshme si “çështja e Gjirit Persik”, ekranet shqiptare kanë hyrë në një spirale sajesash ku satira dhe absurdi nuk dallohen më nga lajmi i vërtetë.

Kulmin e kësaj gare e ka arritur ABC News, e cila në emisionin “360 Gradë” solli një “ekspert të situatës në Iran” . Bëhet fjalë për hoxhën Eni Kokomani, i cili fliste nga një zonë pranë Teheranit.

Kokomani përshkroi situatën në Iran si një përzierje mes tragjikes dhe komikes. Sipas tij, qytetarët iranianë – ndonëse përballë raketave dhe frikës nga shpërthimet – vazhdojnë jetën e përditshme “me një filxhan çaji në dorë duke parë raketat e vdekjes me qetësi”.

“Populli iranian nuk e humbet qetësinë,” – theksoi ai, duke shtuar se edhe pse vendi ndodhet “në një gjendje lufte të heshtur”, solidariteti dhe përulësia e qytetarëve përballë fatit është ajo që i mban në këmbë.

Sipas tij, ky është “realiteti iranian”, ndërkohë që raportimet zyrtare flasin për qindra të vrarë dhe një vend në prag kolapsi nga sulmet izraelite dhe frika e luftës së hapur.

Por ndërsa figura të tilla “ekspertësh” ofrojnë romanca propagandistike për regjimin iranian, duhet kujtuar se Shqipëria është rreshtuar pa ekuivok përkrah vendeve perëndimore kundër regjimeve shtypëse si ai i ajatollahëve në Teheran – një regjim ku nuk ekzistojnë të drejtat e njeriut, ku gratë vriten për një copë shall dhe ku opozita burgoset e torturohet.

Irani, përtej propagandës që përpiqet të eksportojë në media të huaja, ka kryer në mënyrë të përsëritur sulme kibernetike ndaj Shqipërisë – përfshirë sulmin famëkeq të vitit 2022 që çoi në ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike dhe dëbimin e stafit të ambasadës iraniane nga Tirana. Një akt i pashembullt në historinë moderne të diplomacisë shqiptare, që dëshmon për agresivitetin e këtij regjimi edhe ndaj një vendi të vogël si Shqipëria, vetëm për shkak të aleancës së saj me SHBA dhe strehimit të opozitës iraniane, MEK në kampin e Manzës.

Orët e fundit në rrjete sociale janë shfaqur pamje të lëmsheve të zjarrtë që  ngjajnë me mbetje meteoritësh teksa fluturojnë mbi qiellin shqiptar dhe komentet që mbizotërojnë janë se ishte një raketë me destinacion Manzën por me trajektore të pallogaritur mirë, punë “alla Iran”.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by JOQ Albania (@joqalbania)

 Ndaj, në këtë kontekst, relativizimi i konfliktit Iran–Izrael apo normalizimi i regjimit të ajatollahëve në emër të “balancës mediatike” nuk është as informim, as debat – por një farsë e rrezikshme, që i bën jehonë një regjimi të dhunshëm që ka shënjestruar vetë Shqipërinë. Dhe për këtë, asnjë filxhan çaji në sfond nuk e zbut dot absurditetin.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu