Tiranë, 10 qershor 2025 – Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) ka marrë vendimin për rinumërimin e votave në dy nga qarqet më të mëdha të vendit: Tiranën dhe Fierin. Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi njoftoi sot në një konferencë për mediat se do të rinumërohen gjithsej 610,301 vota, ndërsa procesi do të nisë javën e ardhshme, të hënën ose të martën.

Rinumërimi do të zhvillohet në Pallatin e Sportit “Farie Hoti” në Tiranë, pasi Parku Olimpik është i zënë për shkak të zhvillimit të një kampionati europian në volejboll. Celibashi theksoi se KQZ ka përgatitur logjistikën dhe stafin teknik në një kohë rekord, duke garantuar një proces të pavarur dhe teknikisht të kontrolluar.

“Ky proces do të realizohet vetëm nga stafi i KQZ-së, ndryshe nga procesi fillestar i numërimit ku ishin të përfshirë përfaqësues të partive politike. Këtë herë partitë politike nuk kanë asnjë rol aktiv në numërim,” deklaroi Celibashi.

Detaje teknike të rinumërimit:
208 grupe numërimi në Tiranë (104 tavolina)

92 grupe numërimi në Fier (46 tavolina)

Rreth 150 tavolina në total të angazhuara për dy qarqet

Procesi do të jetë më i gjatë për shkak të numrit më të ulët të tavolinave krahasuar me procesin e parë të numërimit

Celibashi nënvizoi se KAS do të ketë kompetencë të plotë mbi çdo element të këtij procesi, përfshirë edhe vlerësimin e çdo flete votimi dhe interpretimin përfundimtar të rezultatit.

“Do vazhdojmë pa ndërprerje, gjithë administrata do jetë në punë, kemi anuluar dhe lejet vjetore për gjithë stafin, për të qenë në punë edhe gjatë korrikun edhe gushtit. Me siguri që sikurse e thashë vetëm për këto dy qarqe do duhen 18-20 ditë, për të përfunduar procesin e rinumërimit, shto edhe ditët që do mund të duhen për ankimet në Kolegj. Edhe gjysma e parë e muajit gusht do na gjejë të angazhuar me procesin zgjedhor të 11 majit. Të dyja qarqet për 18 deri në 20 ditë”, u shpreh Celibashi.

Ky vendim i KAS erdhi pas vlerësimit të pretendimeve të disa kandidatëve dhe subjekteve zgjedhore, të cilët kanë paraqitur ankesa të bazuara në dokumentacion zyrtar dhe pamje filmike të procesit fillestar.

Procesi pritet të jetë i gjatë dhe kompleks, por synimi është garantimi i integritetit të rezultatit zgjedhor dhe rritja e transparencës ndaj publikut dhe aktorëve politikë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu