
Pas miratimit sot në Komisionin e Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian të raportit për Shqipërinë, kanë ardhur reagime nga drejtues të lartë të shtetit shqiptar. Kryetarja e Kuvendit, znj. Elisa Spiropali, e cilësoi këtë një konfirmim të qartë të progresit të vendit drejt integrimit europian.
“Miratimi i raportit nga Komisioni i Punëve të Jashtme rikonfirmon avancimin tonë të shpejtë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, si vendi pararojë mes vendeve kandidate, që ecën me vendosmëri drejt familjes europiane,” tha Spiropali. Ajo theksoi se raporti vlerëson arritjet në reformat demokratizuese dhe integruese, forcimin e pavarësisë së sistemit të drejtësisë, si dhe luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë.
Kryeparlamentarja nënvizoi gjithashtu objektivin strategjik kombëtar: çeljen e të gjithë grupkapitujve të negociatave brenda muajit qershor, përmbylljen e tyre deri në vitin 2027 dhe anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në BE brenda kësaj dekade. Sipas saj, ky objektiv po fiton mbështetje të gjerë jo vetëm nga Parlamenti dhe Komisioni Europian, por edhe nga vendet anëtare të unionit.
“Falenderoj reporterin Andreas Schieder për pasqyrimin me realizëm të arritjeve të Shqipërisë, dhe deputetët që në shumicë absolute e mbështetën,” shtoi Spiropali.
Në të njëjtën linjë reagoi edhe ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, i cili falënderoi raportuesin Schieder për vlerësimin pozitiv.
“Faleminderit Raportuesit të Parlamentit Europian Andreas Schieder për raportin mbi Shqipërinë të sapo miratuar në Komitetin e Politikës së Jashtme (AFET)”, shkruan Balla në rrjetet sociale, duke cituar deklaratën e eurodeputetit austriak:
“Shqipëria mund të quhet me krenari ‘favoriti kryesor’ mes kandidatëve për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian.”
Miratimi i raportit në AFET vjen në një moment kyç për rrugën europiane të Shqipërisë, me pritshmëri të larta për hapjen e plotë të grupkapitujve të negociatave në javët në vijim.