
NGA ANILA HOXHA
Nëse ka një frazë që do t’i qëndrojë gjatë kohës mbi punët e drejtësisë në Shqipëri, është përgjigjja që më dha kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja, kur e pyeta: si është të kalosh vettingun?
Tha aty për aty — si të kalosh varrin për së gjati! Përgjigjja lidhej me vështirësinë, por edhe analizën që duhet të ketë bërë funksionari i drejtësisë mbi proceset që po kryheshin ndaj sistemit. Duhet t’i ketë parë problemet në sy. Dhe kur pranon që ke disa probleme, bëhesh gati që t’i zgjidhësh ato!
Problemi i radhës është Byroja Kombëtare e Hetimit, apo FBI-ja shqiptare. Kur shkrova për mandatin pesëvjeçar të drejtuesit të BKH-së, konfliktet mes titullarit dhe drejtuesve të SPAK-ut, ajo që po thosha lidhej me vakumet e lëna në ligj, që pasjellin shumë forcë nga më kompetenti ndaj më pak kompetentit (vartësit), deri në denigrim apo zhbërje/zerim të funksionarit më pak të fuqishëm.
Publikisht dihet që SPAK kishte vendosur si kufi datën 6 qershor, brenda së cilës garuesit duhet të dorëzonin dokumentacionin ku do të shfaqnin ambicien për drejtor të BKH-së. Gjithsej 13 emra, mes tyre kush propagandohet për heroizma të pakryera e kush se i kishte pasur duart e lidhura të bënte ligj.
Nejse.
Tani del që SPAK u jep kohë edhe ca ditë 11 prej tyre për të plotësuar dokumentacionin që nuk e kanë paraqitur konform ligjit.
Ky është paradoks.
T’u japësh “oksigjen” tej afateve ligjore, për më tepër atyre që duhet ta dinë mirë çfarë janë kriteret dhe shkresat, do të thotë ta kthesh në pazar procesin.
Në mos ka arsye të tjera për të cilat ky proces, përmes transparencës, duhet t’i thuhet publikut se përse realisht është pezulluar kontrolli i të 13-ve. Nëse ka një krizë mes anëtarëve të komisionit të përzgjedhjes apo çfarë tjetër nuk shkon, duhet thënë. Nuk flitet vetëm për zgjidhjet, por edhe për problemet.
Ballazi!
Vijmë te problemet e ligjit dhe KLP-së që i kam cekur më herët dhe që, duke mbyllur sytë, kompetentët kujtojnë se duke i ardhur anash problemit, ai tretet vetvetiu.
- Në datën 06.06.2025, përfundoi afati i kandidimit për postin e Drejtorit të BKH-së.
- Kushtetuta, me ndryshimet e vitit 2016, kur dhe u konceptua ngritja e një Strukture Hetimi pranë Prokurorisë së Posaçme, nuk njeh emërtimin Byroja Kombëtare e Hetimit, por Njësinë e Posaçme Hetimore (neni 148/4). Ligjvënësi, në ligjin organik Nr. 65/2016, i cili rregullon veprimtarinë e gjithë SPAK-ut (Struktura e Posaçme Antikorrupsion), ka përcaktuar emrin Byro Kombëtare e Hetimit (sikundër duket në pëlqim dhe sinkron me strukturën amerikane FBI — Byroja Federale e Hetimit).
- Ligji përcakton se: “BKH-ja është një strukturë e specializuar e Policisë Gjyqësore, që vepron vetëm nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme. Drejtori, Zëvendësdrejtori dhe hetuesit e BKH-së gëzojnë statusin e oficerit të Policisë Gjyqësore. Organizimi i brendshëm i BKH-së rregullohet nga urdhri i përbashkët i Drejtorit të BKH-së dhe Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme. BKH-ja përbëhet nga drejtori, zëvendësdrejtori, hetuesit dhe punonjësit e administratës… Organizimi dhe funksionimi i shërbimeve të Policisë Gjyqësore të BKH-së rregullohet në përputhje me këtë ligj dhe urdhrat e Drejtorit të BKH-së, me pëlqimin e Drejtuesit të Prokurorisë.”
- Procesi i emërimit të Drejtorit të BKH-së rregullohet nga Ligji Nr. 95/2016, “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, nenet 33–35 të së cilit përcaktojnë se: (neni 33) “Komisioni i përbërë nga Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme dhe dy prokurorë të posaçëm me më shumë vite eksperiencë pune si prokuror, pas një procesi rekrutimi të hapur dhe transparent, rekomandojnë një kandidat për Drejtor të BKH-së, i cili emërohet nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë…”
- Neni 34 i ligjit përcakton kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët për Drejtor…
- Neni 35 rregullon lirimin, shkarkimin dhe pezullimin e drejtorit…
- Zonja Aida Hajnaj, si Drejtore aktuale me mandat deri në datën 31 gusht 2025 e cila ka patur të drejtën e riemërimit edhe një herë, nuk ka hyrë në garë, pasi mban qëndrimin që riemërimi duhet të bëhet direkt nga KLP-ja pa një garë të re.