
#SpijuniroGolubiro – tani edhe në version ekskluziv nga Tirana!
Seanca e fundit stërvitore e Kombëtares shqiptare është shoqëruar nga një prani e pazakontë – përveç gazetarëve shqiptarë, aty janë shfaqur edhe “ekspertët” e fshehjes pas shkurreve: përfaqësues të mediave serbe, të cilët me kamera në dorë dhe kurajo prej “agjentësh të TikTok-ut”, kanë ndjekur stërvitjen jashtë zonës së autorizuar nga FSHF.
“Kurir”, një ndër gazetat më të zëshme në Beograd, ka publikuar me krenari video dhe foto të seancës, duke i dhënë vetes lavdërime për “misionin” e tyre të suksesshëm. Artikulli i tyre mban titullin që s’ka nevojë për koment: “Spiunuam shqiptarët në mes të Tiranës” .
Nga detaje për taktikat e Silvinjos deri te analiza e atmosferës në kamp, ata e kanë trajtuar këtë si një triumf spiunazhi futbollistik, ndërkohë që pjesa e mosrespektimit të rregullave bazë të gazetarisë duket se nuk i shqetëson shumë.
Gazetari “Spijuniro Golubiro” sillet si një “agjent sekret” që përgjon sportistët gjatë stërvitjes.
Çfarë është “Spijuniro Golubiro” si meme interneti
“Spijuniro Golubiro” (ose “Špijuniro Golubiro”) është një meme satirike dhe trend në TikTok, që ka shpërthyer në fillim të vitit 2025, duke u bërë virale.
Ky trend paraqet një pëllumb “spiun” të krijuar me inteligjencë artificiale, i cili është i veshur me një pallto detektivi dhe i pajisur me një kamerë. Zakonisht, memet janë të shoqëruara me zë narratori robotik në kroatisht, por të folur me theks teatral italian, çka i jep një efekt edhe më qesharak.
“Spijuniro Golubiro” është pjesë e një vale më të madhe videosh meme të quajtura brainrot memes – përmbajtje absurde e qëllimshëm e “trilluar”, ku përfshihen krijesa imagjinare si:
- Bombardiro Crocodilo – një krokodil antropomorf i kthyer në avion bombardues ushtarak,
- Tralalero Tralala – një peshkaqen me atlete Nike që kërcen.
Kështu edhe gazetarët serbë janë si “Spijuniro Golubiro” dhe sillen si agjentë të fshehtë, por në fakt duken si pjesë e një karikature digjitale me pëllumba detektivë./AIA.AL