Një aksident i rëndë është regjistruar këtë paradite në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku një automjet i drejtuar nga një shtetas 41-vjeçar, me inicialet E. K., ka përplasur dy monopatina elektrike, me të cilat udhëtonin tre të mitur.

Sipas policisë, të miturit kanë pësuar dëmtime të konsiderueshme dhe janë transportuar me urgjencë në spital, ku ndodhen nën kujdesin intensiv të mjekëve. Shoferi i automjetit është shoqëruar në Komisariatin e Policisë për të kryer procedurat ligjore dhe hetimore të mëtejshme.

Në vendngjarje ndodhet një grup i posaçëm hetimor, që po punon për të sqaruar rrethanat e aksidentit, përmes pamjeve të kamerave të sigurisë dhe dëshmive të qytetarëve të pranishëm.

Një dëshmitar okular tha se tre të miturit udhetonin së bashku në një monopatinë të vetme dhe kaluan rrugën me semafor të kuq.

“Makina po ecte me jeshile. Ata kaluan me të kuqe dhe ishin tre veta në një skuter të vetëm. Njëri nuk u përmend fare, tjetri bërtiti dhe humbi ndjenjat, kurse i treti ra përsëri pa ndjenja. Ambulanca i mori menjëherë dy prej tyre”, – deklaroi dëshmitari.

Policia po verifikon të gjitha rrethanat, përfshirë respektimin e sinjalistikës rrugore nga të dy palët dhe shkeljet e mundshme të rregullave të qarkullimit.

Ngjarja ka rihapur debatet për sigurinë rrugore në kryeqytet, veçanërisht në lidhje me përdorimin e monopatinave elektrike nga të miturit, shpesh pa mbikëqyrje prindërore, pa masa mbrojtëse dhe në shkelje të kodit rrugor.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu