Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Graz-it në Austri, ku një ish-nxënës 21-vjeçar ka qëlluar me armë në një shkollë të mesme, duke lënë pas dhjetë viktima. Sipas autoriteteve, nëntë nga viktimat ishin nxënës dhe staf i shkollës — gjashtë femra dhe tre meshkuj — ndërsa viktima e dhjetë është vetë autori i dyshuar, i cili raportohet se është vetëvrarë në tualetin e shkollës.

Një 15-vjeçare nga Vitia, është një nga viktimat e masakrës së ndodhur në një shkollë në Graz të Austrisë, ku një person qëlloi me armë zjarri, duke lënë të vdekur 10 persona.

Mediat në Kosovë, raportojnë se 15-vjeçarja ishte nxënëse në një nga klasat ku ndodhi sulmi.

Sulmi ndodhi rreth orës 10:00 në gjimnazin “Dreierschützengasse”, një prej institucioneve arsimore në qytetin e dytë më të madh të Austrisë. Policia deklaroi se autori përdori dy armë zjarri, të dyja të regjistruara ligjërisht dhe se nuk ishte i njohur më parë nga autoritetet ligjzbatuese.

Ministri i Brendshëm, Gerhard Karner, konfirmoi se sulmuesi kishte qenë dikur nxënës i kësaj shkolle, por nuk e kishte përfunduar arsimin e mesëm. Motivi i ngjarjes mbetet ende i paqartë dhe hetimet janë në vazhdim.

Kancelari austriak, Christian Stocker, e cilësoi ngjarjen si një tragjedi kombëtare, duke shpallur tri ditë zie në të gjithë vendin dhe një minutë heshtje për viktimat që do të mbahet nesër në orën 10:00 të mëngjesit.

Pamje nga terreni tregojnë njerëz që qajnë nëpër rrugët e Graz-it, ndërsa familjarët e nxënësve janë parë duke u përqafuar mes lotësh. Shkolla do të qëndrojë e mbyllur deri në një njoftim të dytë, ndërsa autoritetet lokale dhe përfaqësues të shkollës po mbajnë takime me familjarët për të diskutuar hapat e mëtejshëm.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu