Sirenat e alarmit për sulm ajror janë dëgjuar në të gjithë Izraelin mbrëmjen e së premtes, ndërsa Irani ka lëshuar një valë raketash drejt vendit, si kundërpërgjigje ndaj sulmeve ajrore izraelite mbi objektet bërthamore dhe ushtarake iraniane.

Oshëtima shpërthimesh janë dëgjuar në të gjithë Jeruzalemin, ndërsa në Tel Aviv, televizioni izraelit transmetoi pamje me re tymi që ngrihej mbi qytet pas një goditjeje të mundshme raketore. Deri tani nuk raportohet për viktima, por ushtria izraelite konfirmoi se dhjetëra raketa janë lëshuar dhe u bëri thirrje qytetarëve në të gjithë vendin të strehohen në bunkerët e mbrojtjes civile.

Një zyrtar amerikan konfirmoi se Shtetet e Bashkuara po ndihmojnë Izraelin në kapjen e raketave të lëshuara nga Irani, megjithatë nuk dha detaje mbi mënyrën se si po ofrohet kjo ndihmë.

SHBA ka zhvendosur asetet e saj më pranë Izraelit për të ndihmuar në kapjen e raketave dhe për të siguruar mbrojtje më të mirë për bazat ushtarake amerikane në rajon.

Zyrtari, i cili foli në kushte anonimiteti për shkak të natyrës së operacioneve në zhvillim, nuk dha më shumë informacion.

Ky përshkallëzim i dhunshëm vjen vetëm disa orë pasi Izraeli ndërmori një valë sulmesh ndaj objektivave kyçe iraniane, përfshirë objekte të programit bërthamor dhe baza ushtarake, ku u vranë të paktën tre oficerë të lartë të ushtrisë iraniane. Sipas burimeve ushtarake, mes objektivave të goditur ishin impiante pasurimi uraniumi, një rafineri, si dhe pjesë të arsenalit të raketave balistike të Iranit.

Kriza vjen pas javësh tensioni në rritje

Të enjten, Irani njoftoi se do të aktivizojë një impiant të tretë për pasurimin e uraniumit, vetëm pak orë pasi një raport i OKB-së e akuzoi për mosrespektim të detyrimeve bërthamore. Në të njëjtën ditë, qeveria e kryeministrit Benjamin Netanyahu i mbijetoi një përpjekjeje për shpërndarjen e parlamentit, sfida më e fortë politike që nga sulmet e 7 tetorit.

Situata është në zhvillim dhe po vlerësohet si përshkallëzimi më serioz mes Izraelit dhe Iranit në dekadat e fundit, me rrezikun që rajoni të futet në një konflikt të hapur ushtarak.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu