

Votat e ardhura nga Greqia nuk kanë nisur ende të numërohen, pasi po pritet vendimi i zbardhur i Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve (KAS), në lidhje me vlefshmërinë e këtyre zarfeve të sjella dorazi sipas pretendimeve të opozitës.
Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore ka paditur sot Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) në Kolegjin Zgjedhor të Gjykatës Administrative të Apelit. Në qendër të padisë është vendimi nr. 50 i datës 13 maj 2025, me të cilin KAS urdhëroi vijimin e numërimit të votave të diasporës nga të gjitha shtetet, përfshirë edhe ato nga Greqia, pavarësisht mënyrës së dorëzimit të zarfeve.
Më herët, KQZ kishte pranuar një kërkesë të PD-së për të mos numëruar përkohësisht votat e ardhura nga Greqia, me pretendimin se ishin dorëzuar fizikisht dhe jo nëpërmjet shërbimit postar të kontraktuar (DHL). Pasi KQZ vendosi që të vijonte numërimi për shtetet e tjera dhe të linte pezull votat nga Greqia, Partia Socialiste e ankimoi vendimin në KAS, duke e konsideruar të paligjshëm.
Në vendimin e saj, KAS rrëzoi qëndrimin e KQZ-së dhe kërkoi që të numërohen të gjitha votat e diasporës, pa përjashtim. Ky vendim është kundërshtuar tashmë në gjykatë nga Partia Demokratike, e cila kërkon pezullimin dhe më pas shfuqizimin e tij.
Sipas dokumentit të dorëzuar më 14 maj, PD përfaqësohet nga avokati Marash Logu dhe ka kërkuar ndërhyrje urgjente të gjykatës për të ndalur zbatimin e vendimit të KAS deri në shqyrtimin përfundimtar të çështjes.
Në këtë mënyrë, fati i votave të ardhura nga Greqia mbetet pezull deri në një vendim të dytë nga Kolegji Zgjedhor.