
Një atentat me armë zjarri tronditi mbrëmjen e sotme Tiranën. Pranë rrethrrotullimit të Shkozës u qëllua me breshëri plumbash një automjet tip G Class ku për pasojë mbetën të plagosur Arens Stafa, 34 vjeç, drejtues i makinës, Marko Bardhi Demiraj, 17 vjeç, të cilët janë të dëmtuar në dorë dhe krah, Dior Demiraj, 11 vjeç dhe Kian Mullaj, 19 vjeç.
Nga burime pranë spitalit mësohet se më i vogli prej tyre është në gjendje të rëndë.
Informacionet e para tregojnë se automjeti në shënjestër i përkiste familjes pronare të kompanisë së sigurimit “Pelikani Security” dhe se është ndjekur nga autorët që nga rrethrrotullimi i Shkozës, deri në zonën e Lundrës, ku janë ekzekutuar të shtënat. Pas sulmit, autorët kanë djegur automjetin e përdorur për krimin për të humbur gjurmët.
Policia ka sekuestruar pamje nga kamerat e sigurisë përgjatë itinerarit të ndjekur nga automjeti i viktimave dhe i autorëve.
Ngjarja ka tronditur opinionin publik për shkak të përfshirjes së të miturve në një atentat dukshëm mafioz.