Në një konferencë për shtyp, Ferit Hoxha theksoi se Shqipëria ka bërë përparim të dukshëm në përmbushjen e detyrimeve dhe avancimin e negociatave për anëtarësim në BE.

Sipas tij, pretendimet për bllokim janë pjesë e debatit politik dhe nuk reflektojnë realitetin e procesit.

“Nuk ka bllokim apo ngrirje. Procesi është normal, racional dhe shumë kërkues,” u shpreh ministri, duke shtuar se integrimi nuk është vetëm një proces teknik, por një transformim i thellë që po ndodh në vend.

Hoxha u ndal edhe te rëndësia e përfshirjes së diasporës, duke bërë të ditur se në ditët në vijim do të mbahet Samiti i Diasporës, ku do të diskutohen çështje ekonomike, kulturore dhe përfshirja e saj në vendimmarrje.

Sa i përket politikës së jashtme, ministri sqaroi se Shqipëria nuk ka aleancë me Serbinë, por zhvillon marrëdhënie në funksion të interesave dhe dialogut diplomatik. Ai shtoi se Shqipëria do të kontribuojë në përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Në lidhje me marrëveshjen detare me Greqinë, Hoxha konfirmoi se palët kanë rënë dakord që çështja të zgjidhet në gjykata ndërkombëtare, pa dhënë një afat konkret.

Ministri komentoi edhe çështjen e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se përdorimi i gjuhës shqipe është një e drejtë ligjore dhe se kjo çështje duhet trajtuar institucionalisht dhe pa u politizuar.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu