Miliona turistë të huaj po vizitojnë Shqipërinë edhe këtë vit, por vetëm një pjesë e vogël e tyre po akomodohen në struktura. INSTAT, raport në se në 4-mujorin e parë nga 2.3 milionë turistë që erdhën në Shqipëri, vetëm 302 mijë u regjistruan në strukturat akomoduese.

Më shumë të huaj që vizitojnë vendin tonë po flenë në strukturat akomoduese. Të dhënat e fundit të INSTAT, tregojnë se vetëm në muajin prill 129.732 shtetas jo rezident u akomoduan në strukturat, me rritje prej 91.9% në raport me prillin e vitit të kaluar. Gjatë muajit prill një i huaj ka fjetur mesatarisht në Shqipëri 2.1 net, duke u rritur në raport me vitin e kaluar.

yacht hotel sarande

 

 

Rritja e numrit të turistëve dhe i netëve të qëndrimit në strukturat akomoduese lidhet edhe me masat e marra nga shtetit, i cili rishikoi ligjin dhe ashpërsoi gjobat për bizneset që nuk deklarojnë numrin real të pushuesve.

Ndërkohë sa i takon periudhës janar-prill në hotele, bujtina, agroturizma janë akomoduar në total 302.365 të huaj. Shifër kjo shumë më e ulët se numri total i të huajve që kanë hyrë në vend përgjatë katër muajve. Sipas INSTAT, nga janari në prill në vend kanë hyrë 2,329,242 të huaj. Pra rezulton se vetëm 1 nga 7 turistë të huaj që vizituan vendin ka qëndruar në strukturat akomoduese.

Sipas ekspertëve të fushës, shkaqet për këto diferenca ku ngrihet pikëpyetja se ku janë akomoduar 2 milionë turistët e tjerë, janë disa. Së pari, është informaliteti i lartë në sektor ku edhe struktura të paregjistruara japin dhoma, apartamente apo bujtina me qira, dhe një pjesë e turistëve qëndrojnë në këto ambiente. Së dyti edhe strukturat e regjistruara mund të mos deklarojnë numrin real të shtetasve që kanë akomoduar. Së treti, një pjesë e këtyre shtetasve jo rezident mund të jenë shqiptar me nënshtetësi dhe qëndrojnë tek të afërmit e tyre dhe së fundmi, një pjesë e madhe e turistëve janë kalimtar, pra qëndrojnë disa orë e largohen siç ndodh me qytetarët nga Kosova apo Maqedonia e Veriut.

Përtej këtyre diferencave në shifra, ekonomia vijon të përfitojë miliona euro nga industria e turizmit. Vetëm në tre muajit e parë të vitit turistët e huaj kanë shpenzuar në Shqipëri 788 milionë euro, nga 624 milionë euro që ishte vlera në janar-mars 2023. Ndërkohë shqiptarët që kanë dalë jashtë vendit në këtë tremujor harxhuan 521 milionë euro, nga 435 milionë euro që ishte vlera e shpenzimeve vjet.

Pritshmëritë janë që këtë vit vendi të vizitohet nga 14 milionë të huaj, dhe të ardhurat të kapërcejnë shifrat e vitit të kaluar. Ndërsa Ministria e Turizmit raporton se ecuria pozitive ka vijuar edhe në maj, pasi për 5 muaj janë 3.3 milionë të huaj të ardhur në Shqipëri.

TURIZMI NË SHQIPËRI

Turistë             2,329,242 të huaj

Regjistruar          302.365 të huaj

Pa-regjistruar     2,026,877 të huaj

SHPENZIMET E TË HUAJVE

Janar-Mars 2023          624 mln euro

Janar-Mars 2024          788 mln euro

Rritja                          +164 mln euro

SHPENZIMET E SHQIPTARËVE

Janar-Mars 2023              435 mln euro

Janar-Mars 2024              521 mln euro

Rritja                               +86 mln euro

Marre nga Shqiptarja.com

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu