Një ngjarje tronditëse ka dalë në dritë në qytetin e Brindisit në Itali, ku autoritetet kanë identifikuar personin e dyshuar si “vrasësi serial i maceve”. Sipas mediave italiane, nën hetim është një mjek anestezist 51-vjeçar, i akuzuar për vrasjen dhe keqtrajtimin e maceve endacake.

Hetimi, i koordinuar nga Prokuroria e Brindisit dhe i zhvilluar nga policia kriminale, ka dokumentuar tetë episode të ndara përgjatë disa muajve, mes fundit të vitit 2023 dhe gjysmës së parë të 2024-ës. Bilanci është i rëndë: tre mace të ngordhura dhe pesë të tjera të plagosura.

Sipas akuzës, i dyshuari do të kishte vepruar me metodë, duke zgjedhur orët më pak të frekuentuara dhe duke shënjestruar koloni macesh të regjistruara dhe të mbikëqyrura nga vullnetarë. Në dosje përmenden mjete të përshtatura për kapjen  e kafshëve, përfshirë një shkop të modifikuar dhe një kafaz-kurth.

Provat që çuan në identifikimin e tij përfshijnë denoncime nga vullnetarë, raporte veterinare, vëzhgime në terren dhe verifikime teknike mbi lëvizjet e të dyshuarit në zonat ku ndodhën episodet. Gjatë kontrolleve janë gjetur edhe objekte që konsiderohen të përputhshme me mënyrën e kryerjes së sulmeve.

Mjeku akuzohet për shkelje të dispozitave penale italiane që dënojnë vrasjen dhe keqtrajtimin e kafshëve. Çështja tani ndodhet në fazën përfundimtare të hetimeve, ndërsa Prokuroria do të vendosë nëse provat janë të mjaftueshme për ta çuar dosjen në gjyq.

Rasti ka shkaktuar indinjatë të madhe në komunitetin lokal, pasi kolonitë e maceve të prekura ishin pika referimi për banorët dhe aktivistët e mbrojtjes së kafshëve.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu