Ora 12:45 Përfundojnë homazhet/ Ish-kryeministri dhe lideri historik i PS, Fatos Nano përcillet për në banesën e fundit

 

Pak pas përfundimit të ceremonisë së homazheve në pallatin e Kongreseve, arkëmorti i ish-kryeministrit Fatos Nano është përcjellë me një tjetër ceremoni funebre drejt varrezave të Sharrës.


Familjarë, miq, mijëra qytetarë, autoritete shtetërore, të komuniteteve fetare, trupit diplomatik, i kanë dhënë lamtumirën e fundit duke e përcjellë kortezhin me nderim dhe arkëmortin e vendosur mbi një top, e shoqëruan në bulevardin kryesor.

Sipas protokollit, pas përcjelljes me ceremoni funebre, nderimet e fundit do bëhen në një ceremoni private nga familja e tij, në varrezat e Sharrës.

Në respekt për kontributin e Fatos Nanos në jetën publike dhe politike të vendit, 2 nëntori është shpallur edhe ditë zie kombëtare. Fatos Nano ndërroi jetë në 31 tetor, në moshën 73-vjeçare, në një prej spitaleve private të kryeqytetit, ku po kurohej prej 24 ditësh.

Pesë herë Kryeministër i Shqipërisë, Fatos Nano do të mbahet mend si një lider historik i së majtës shqiptare, vizionar për Shqipërinë dhe një nga figurat më të rëndësishme të politikës shqiptare gjatë periudhës së tranzicionit.

 

12:40, Rama s’i jep dot lamtumirën: Mos vdeksh kurrë Fatos Nano!

Kryeministri Edi Rama kujtoi me mall marrëdhënien e veçantë dhe miqësinë e thellë me ish-kryeministrin, duke e cilësuar ndarjen nga jeta të tij si një humbje të madhe njerëzore dhe politike.

Në fjalën e tij, ai shtoi me ironi dhe dhimbje se pas lajmit të ndarjes së tij nga jeta, edhe ata që dikur e kishin sulmuar e akuzuar, nuk ngurruan ta shprehnin adhurimin për të.

“I thonë një fjale vdis, pa të të dua! Sa do të doja i dashur Fatos të uleshim sonte në një nga ato darkat tonë të viteve të fundit, e t’i kalonim deri vonë në atë revistën tonë të ngjarjeve e personazheve të ndryshëm tërë ç’u tha e çfarë u shkrua për ty qysh se doli lajmi se ti ike përgjithnjë. Po sa të paskan dashur e admiruar mor burrë i dheut! Edhe ata që të vunë shkopa nën rrotë, mezi pritën sapo morën vesh se nuk do t’i hapësh më sytë, edhe ata që të kallën në burg, e që të lëshuan për vite tërë të zezat e gjuhës shqipe, veç ta shihje si t’i kanë qëndisur fjalët…Plasja më vjen!”, tha Rama në nisje të fjalës së tij të lamtumirës për Fatos Nanon.

“Më ra puna e vështirë e të parës lamtumirë që i jepet të parit kryetar, themeleus të familjes sonë. Teksa rrotullohesha me sy anë e përqark faqes së bardhë në ekran, m’u ndërmend ajo historia jote me vdekjen e Mao Ce Dunit. Mu duk vetja si ai drejtori i Metalurgjikut që do të njoftonte vdekjen e kryetarit”, shtoi kryeministri.

“Njeriu që ikën sot pa kthim nga Tirana ku lindi e bëri histori, është një rast tejet i veçantë për t’u përcejlë me fjalët e rastit pa u bërë qesharak. Me Fatosin ne ndamë, thyem dhe rindamë bukë, por historia jonë zhvilluar mes ekstremesh, nga birësimi im në familjen socialiste, ka vend vetëm për një fakt, nëse jam sot unë zëdhënësi i hidhërimit të familjes socialiste, kjo lidhet me intuitën e kryetarit, kur shtëpia e socialistëve nuk qe ajrosur ende nga era e së shkuarës”, theksoi kryesocialisti.

Edi Rama tha se burgosja e padrejtë e liderit historik të Partisë Socialiste, Fatos Nano e ktheu atë në një figurë të pathyeshme dhe të pakonkurrueshme në PS.

“Erdhi befasisht kjo ditë zie. I pari kryetar, themelues ë familjes sonë. Njeriu që ikën sot pa kthim, është rast tejet i veçantë, për t’u përcjellë me fjalën e rastit, pa u bërë qesharak. Me Fatosin ne ndamë, thyem dhe rindamë bukë. Nëse jam unë zëdhënësi i familjes sonë socialiste, kjo lidhet me intuitën dhe guximin e tij për të më ftuar në odën e shtëpisë sonë politike. Besoj se vetë ulje ngritjet e forta të rrugëtimit të tij politik, ishin pasqyrë e pikërisht një dyzim i thellë, mes pengut të një detyre, që tentonte të arratisej sa herë i jepej mundësia. Kjo, e kombinuar me burgosjen absurde. E bekoi Fatos Nanon si lider të pakonkurrueshëm të PS. Pa sakfiricën e tij, socialistët do kishin fat më pak bujar. Në selinë e partisë që udhëhoqi, ka një foto, është pamja më domethënëse pas daljes së Fatos Nanos nga burgu. Fatosi i gjyqit, është profesori i ekonomikut, që mbahet peng i dyfishtë i asaj dite. Fatosi i selisë, me dorën e majtë që tregon përpara dhe sytë që tregojnë xixa, është një kafshë politike”, theksoi ai.

Ora 12:24 “Iku vetëm fizikisht”- Djali i Fatos Nanos: Babai im më mësoi demokracinë dhe forcën e ringritjes

I biri i të ndjerit, Sokol Nano, dha fjalimin e tij të lamtumirës, duke falenderuar fillimisht të gjithë për dashurinë e treguar ndaj politikanit, Fatos Nano.

Të nderuar të pranishëm, familjarë, miq shok, tëq afërm e dashamirës.

Jam thellësisht i prekur nga gjithë vëmendja, dashuria juaj që kam ndjerë për babain tim në këto ditë të vështira.

Në emër të familjes iu shpreh mirënjohje shqiptarëve kudo që ndodhen.

Sot është një ditë ndryshe. Sot Fatos Nano, babai, bashkëshorti, gjyshi, daja, miku, lideri, ikën nga kjo botë por vtm fizikisht,. Im atë ishte i pari që më foli për demokracinë. I pari që nuk e kishte frikë humbjen se ishte kalorës. Ai më mësoi shumëçka, garën e vërtetë, udhëheqjen si përgjegjesi. Ishte një njeri shumë dimensional.

Ai e donte lirinë si frymë jo si slogan.

Ai besoi gjithmonë se politika shkonhte përtej luftës personale. Ai mboli ide, kulturë, qytetar.. Ishte i butë, tolerant me gjithkënd me atë që mendonte ndryshe. I ashpër dhe i drejtë kur kërkohej vendim e kurajo.

Faleminderit për trashëgiminë e vyer që na la. Faleminderit kampion për kulturën, kokëfortësinë, zemrën, lirinë që na mësove të mbrojmë, brenda e jashtë vetes“, tha Sokol Nano.

Ora 12:15. Xhoana Nano: Dita më e errët e jetës time! Sot e kuptoj pse rashë në dashuri me Fatosin…

Para ceremonisë së lamtumirës, u mbajt 1 minutë heshtje në Pallatin e Kongreseve, në nder të ish-kryeministrit të Shqipërisë, Fatos Nano.

Fjalën e saj të lamtumirës, bashkëshortja e politikanit të ndjerë, Xhoana Nano, e nisi duke e cilësuar këtë të dielë, ditën më të errët të jetës së saj.

“Të dashur miq e dashamirës, i nderuar zoti kryeministër! Dita e sotme është dita më e errët dhe e trishtuar e jetës! Po ndahem me njeriun me të cilin kalova një çerek shekulli jetë e me të cilin më lidhën ëndrrat, shpresat e zhgënjimet e përbashkëta! Është një nga ato ditë që nuk do doja ta jetoja kurrë, e tillë është kjo ditë edhe për fëmijët tanë! Unë një vajzë fare e re, rashë në dashuri me Fatosin, atëherë nuk e kuptoja pse, por tani e di, kisha rënë në dashuri jo thjesht me atë si person, por njëkohësisht edhe me vizionin e një Shqipërie ndryshe, komplet tjetër nga ajo që jetonim, që përherë e më shumë lipsej të largohej nga barbaria, primitivja”, tha Xhoana me zërin që i dridhej e lotët që mezi i mbante.

Tha se ai ishte shumë më tepër se një figurë publike.

“Ai ishte i vërtetë, ai nuk merrte poza, nuk dinte të shtirej! Besonte te ajo që bënte, besonte me shpirt në vlerat europiane”, tha bashkëshortja e ish-kryeministrit.

Ora 12:10 Homazhet/ 1 minutë heshtje për ndarjen nga jeta të Fatos Nanos

1 minutë heshtje u mbajt për ndarjen nga jeta të Fatos Nanos në Pallatin e Kongreseve.

Familjarë, të afërm e figura të politikës u ngritën në këmbë në nder të liderit historik të PS.

Ora 12:08 Homazhet për Fatos Nanon, kryeministri Rama mbërrin në ceremoni i shoqëruar nga bashkëshortja


Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka mbërritur në ceremoninë mortore që po mbahet në nder të liderit historik të PS-së, Fatos Nano.

Kryeministri Rama shoqërohet nga bashkëshortja e tij, Linda Rama.

Rama gjithashtu do të mbajë dhe një fjalë përmbyllëse si kryeministër i vendit, por mbi të gjitha si pasues i Fatos Nanos në krye të Partisë Socialiste.

Ora 11:46 Homazhet për ish-kryeministrin Fatos Nano, kryeparlamentari Niko Peleshi dhe kabineti qeveritar mbërrijnë në Pallatin e Kongreseve


Në homazhet në nderim të ish-kryeministrit Fatos Nano, ka marrë pjesë edhe kryeparlamentari Niko Peleshi.

Ndërsa po ashtu në homazhe ka marrë pjesë edhe i gjithë kabineti qeveritar.

Ndërsa pritet që të mbërrijë në homazhe për ish-liderin historik të Partisë Socialiste edhe kryeministri Edi Rama.

 

Ora 11:49. Ministrat në homazhe

 


Ora 11:40. Një buqetë me lule nga PD, Flamur Noka e Agron Gjekmarkaj homazhe në nderim të ish-kryeministrit Fatos Nano


Një tufe me lule u vendos sot nga Partia Demokratike në nderim të ish-kryeministrit Fatos Nano.

Në ceremoni ishin të pranishëm Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka dhe nënkryetari Agron Gjekmarkaj, duke shprehur respektin dhe përulësinë e tyre për kontributin e Nanos në politikën shqiptare dhe në historinë e vendit.

Më herët edhe figura të tjera opozitare, si Agron Duka e Fatmir Mediu morën pjesë në homazhet për ish kryeministrin dhe ish liderin e PS, Fatos Nano.

Ora 11:34 Homazhet në nder të Fatos Nanos, pjesë edhe krerët e besimeve fetare

 

Në Pallatin e Kongreseve janë duke u zhvilluar homazhet për liderin historik të PS, Fatos Nano.

Të pranishëm në këto homazhe janë edhe disa nga krerërt e besimeve fetare mes tyre kryepeshkopi Joan, Baba Mondi,Arqipeshkvi Arjan Dodaj dhe Kreu i Komunitetit Mysliman të Shqiptarëve.

 

Ora 11:30 Homazhet për Nanon, merr pjesë edhe zv/kryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut Izet Mexhiti dhe kreu i BDI-së Ali Ahmeti


Në homazhet që po mbahet në Pallatin e Kongreseve për ndarjen nga jeta të Fatos Nanos, ka marrë pjesë edhe zv/kryeminister i parë i Maqedonisë së Veriut Izet Mexhiti.

Mexhiti është një nga zyrtarët e lartë të Mqedonisë së Veriut që merr pjesë në homazhet për ish-kryeministrin Fatos Nano, i cili u nda nga jeta ditën e premte.

Ndërsa po ashtu në homazhe ka marrë pjesë edhe kreu i BDI-së Ali Ahmeti, i cili ishte i shoqëruar nga Bujar Osmani.

Ora 11:29 Homazhet për Fatos Nanon, mbërrin në Pallatin e Kongreseve Albin Kurti

Në Pallatin e Kongreseve janë duke u zhvilluar homazhet për liderin historik të PS, Fatos Nano.

Vetëm disa çaste më parë ka mbërritur kryeministri i Kosovës Albin Kurti.

Ora 11:18 Veliaj ‘nuk harron’ Fatos Nanon, dërgon nga qelia kurorën me lule në nderim të ish-kryeministrit

Në pamundësi për të qenë vetë prezent në ceremoni, Erion Veliaj ka dërguar një kurorë me lule në emër të tij për ta vendosur pranë arkëmortit të ish-kryeministrit Fatos Nano.

Nano përcillet sot për në banesën e fundit. Lideri historik i Shqipërisë, ndërroi jetë dy ditë më parë në moshën 73-vjeçare. Grupi i Partisë Socialiste kanë shkruar së bashku për të kryer nderimet e fundit për Nanon, ndërsa ceremonia do të mbyllet me një fjalim të kryeministrit Rama, njëkohësisht pasardhës i Nanos dhe bashkëshortes, Xhoana Nano.

Ora 11:20. “Lider dhe reformues i PS”- Gramoz Ruçi: Do mbahet mend si i pari që i hapi rrugën dy djemve të rinj të PS për t’u bërë kryeministra! 

Ish-kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi kujtoi sot Fatos Nanon si një figurë qendrore të historisë së Partisë Socialiste, duke e cilësuar si themelues, reformues, demokratizues dhe transformues i PS.

 

Ruçi nënvizoi se Nano, gjatë 14 viteve të drejtimit të PS, përjetoi 4 vjet izolim politik dhe 8 vite në pushtet, duke udhëhequr forcën politike në periudhën e parë të transformimit të saj.

Ai do të mbahet mend si i pari që, pas humbjes në zgjedhje, u largua dhe i la rrugë gjeneratës së re të PS për të marrë drejtimin.

Gramoz Ruçi: Sot është dita që të nderojmë dhe përkujtojmë Fatos Nanon, Fatos Nanon si të parin themelues të PS, si i parë reformues i PS, si i parë demokratizues i PS, si i parë transformues i PS. Fatos nano si lider i PS në 14 vjet ku nuk ka për të ndodhur më që në harkun e 14 viteve 4 vjet ti kalosh në izolim dhe 8 vjet ta mbash forcën politike në pushtet, në dekadën e parë të transformimit të kësaj force politike. Do të mbahet mend si i pari që në zgjedhjet e para dhe të fundit që humbi dha dorëheqjen duke lënë të lirë forcën politike dhe gjeneratën e re për të marrë drejtimin e saj. Do të mbahet mend si i pari që tezën që tha se kur erdhi në pushtet “se do të sakrifikoj pushtet për të ndërtuar pushtet”, nuk e kishte predikim, por e bëri realitet. E bëri realitet kur ishte në pushtet, që i hapi rrugën dy djemve të rinj të PS për tu bërë kryeministër dhe se Fatos Nano do të ngelet një qytetar ekselent, intelektual i klasit të parë, politikan race dhe do mbahet mend si i pari politikan që në demokraci është persekutuar 4 vjet. I paharruar kujtimi i vëllait tim.

Ora 11:12. Grupi parlamentar i PS nderon liderin historik Fatos Nano në homazhe

 

Ora 11:12
Gramoz Ruçi e deputetët e PS homazhe për ndarjen nga jeta të Fatos Nanos

Ish-kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi zhvilloi homazhe në nderim të figurës së Fatos Nanos. Krah tij, u shfaq edhe grupi parlamentar i PS, por edhe ish-deputetë të tjerë socialistë që iu bashkuan homazheve për liderin historik të PS.

Ora 11:09
Vdekja e Fatos Nanos/ Lulzim Basha merr pjesë në homazhet për liderin historik të PS

Në Pallatin e Kongreseve janë duke u zhvilluar homazhet për liderin historik të PS, Fatos Nano.

I pranishëm në këto homazhe është edhe Lulzim Basha i shoqëruar nga Merita Bakiu dhe Oriola Pampuri.

Ora 10.59. Në respekt për kontributin e Fatos Nanos në jetën publike dhe politike të vendit, 2 nëntori është shpallur edhe ditë zie kombëtare. Të gjithë flamujt në institucionet shtetërore janë ulur në gjysmë shtizë dhe në orën 12:00 do të ndalojë çdo aktivitet për të mbajtur një minutë heshtje.

 

Ora 10.50. Deputeti i PS-së, Taulant Balla ka mbërritur në Pallatin e Kongreseve për të nderuar dhe kryer homazhe për ish-kryeministrin, Fatos Nano.

Balla është i pari nga Partia Socialiste që ka mbërritur në Pallatin e Kongreseve.

Ora 10.30. Përfaqësuesit e opozitës nderojnë Fatos Nanon: Politikan tolerant dhe kundërshtar i denjë!

Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste Agron Duka dhe ai i Partisë Republikane Fatmir Mediu kanë bërë nderimet e tyre në ceremoninë mortore për ish-kryeministrin e Shqipërisë, Fatos Nano.

Për mediat, Duka tha se Fatos Nano, vdiq në atë moment që dhe truri i tij ndaloi së funksionuari, ndërsa dhe njëherë tregoi miqësinë e ngushtë që ka pasur me Nanon.

“Kam pasur një miqësi shumë të ngushtë me Nanon. Jemi njohur që nga viti 2000 bashkë, ruajmë kujtime të mrekullueshme. Më vjen ndërmend shprehja e doktor Solisit, Nano vdiq kur i vdiq ajo që kishte me të mirën në trupin e tij, truri. Çdo njeri ka anët e forta të tij të vetat, Nano kishte trurin. Kur i vdiq truri, vdiq Nano”, tha Duka.

Opozitari, Fatmir Mediu tha se Nanon do ta kujtojë gjithmonë si një politikan të tolerancës, një kundërshtar të denjë dhe një njeri me kontribute të mëdha në jetën politike të Shqipërisë.

“Unë do ta kujtoj Nanon si njeri i mendimit dhe i tolerancës. Një kundërshtar që me të cilin kur debatoje duhet të mendoje thellë dhe padyshim me kontribute në të gjithë jetën politike të këtij vendi. Askush nuk është perfekt, por Fatos Nano kishte tolerancën, që jo shumë politikanë shqiptarë e kanë”, tha Mediu.

Ora 10:25 Priten Kurti, Ahmeti dhe zv.kryeministri i Malit të Zi

Familjarë, miq, qytetarë e figura të rëndësishme politike e jo vetëm po marrin pjesë në homazhet në nder të ish-kryeministrit Fatos Nano.

Siç raportohet, pritet që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministra të mbërrijnë për t’i dhënë lamtumirën një ndër politikanëve më të mëdhenj të vendit tonë.

Në Tiranë do të mbërrijnë edhe kreu i BDI-së, Ali Ahmeti si dhe zv.kryeministri i Malit të Zi.

Ora 10:11. Braçe homazhe për Fatos Nanon: Na dha të gjithëve mundësinë të rriteshim dhe ta bënim PS-në më të mirë

Deputeti i PS, Erion Braçe mori pjesë në homazhet në nder të ish-kryeministrit dhe liderit historik të PS, Fatos Nanos. Braçe tha se Nano iu dha mundësinë të gjithëve, edhe atyre që dolën nga rrënojat e partisë së punës, që të bënin karrierë brenda PS.

“Nano i dha mundësi të gjithëve papërjashtim, edhe atyre që ishin në rrënojat e partisë së punës dhe dolën prej saj dhe të gjithë të tjerëve që iu bashkuan PS më pas. Pa i mohuar kurrkujt mundësinë për tu rritur zhvilluar dhe bërë karrierë brenda PS. I dha lirinë të bëheshin njerëz më të mirë dhe të bënin një parti edhe më të mirë se sa ajo që trashëguan”, tha Braçe.

Ora 10.09 “Model i veçantë, të shërbejë si inspirim” – Arben Malaj për Fatos Nanon: Ishte mendjehapur dhe udhëheqës që besonte te paqja sociale

Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, vlerësoi figurën e Fatos Nanos, duke theksuar qasjen e tij të hapur dhe përkushtimin ndaj paqes sociale.
Sipas Malajt, Nano ishte një udhëheqës liberal dhe mendjahapur, i cili gjatë gjithë qeverisjes së tij përqendroi përpjekjet për të krijuar hapësira për të kapërcyer traumën e vitit 1997 dhe për të ndërtuar një klimë paqeje politike, duke përfshirë edhe opozitën.

“Ishte mendjahapur, ishte liberal dhe u fokusua tek paqja sociale. Gjithë qeverisja e tij ishte e fokusuar në këtë drejtim, që të gjendeshin hapësira për të harruar 97 dhe për të ndërtuar paqe duke lënë hapësira përfaqësimi edhe për opozitën. Është model i vecantë, të shpresojmë që do respektohet dhe të shërbejë si inspirim”, tha Arben Malaj.

Ora 10.06.  “Ishte një burrë shteti”, ish-truproja e tij tregon pengun e ish-kryeministrit: Ndaj tij u hakmor politika! Ndoqi parimet e tij për një Shqipëri demokratike

Ish-truproja i Fatos Nanos, Viktor Agolli, kujtoi me respekt figurën e ish-kryeministrit, duke theksuar drejtësinë, durimin dhe vizionin e tij për Shqipërinë.

Agolli e përshkroi Nanon si një njeri që “kurrë nuk u hakmor”, edhe pse ndaj tij u kryen veprime politike të padrejta.

“Një njeri që kurrë nuk u hakmor, edhe pse ndaj tij u hakmor politika. Jetën politike nuk ja shkatërroi vetëm Sali Berisha, por edhe bashkëpunëtorët e vet, Servet Pëllumbi, Ilir Meta, Namik Dokle, Luan Hajdaraga e shumë të tjerë. Fatos Nano do mbahet mend për njerëzit e thjeshtë për atë që bëri. E mori në 97 të shkatërruar. Njeriu që ndoqi parimet e veta për një Shqipëri të demokratizuar dhe tolerante. Është ai Fatos Nano që i njohu dorëheqjen dhe nuk e kthye më kurrë në politikë. I mori njerëzit nga rruga dhe i bëri ministra. Kishte miq nga Bill Clinton dhe shumë të tjerë. Ishte burrë shteti”, tha ai per media.

Në fund, Agolli tregoi edhe pengun e Fatos Nanos: “A kishte peng? Normal, presidenti. Duhet kush nuk e vuri, përvec PD dhe partia e majtë nuk donte që Fatos Nano të ishte president.”

Ora 09:46. Opozita merr pjesë në homazhet e liderit historik të PS

Në Pallatin e Kongreseve janë duke u mbajtur homazhe në nderim të liderit historik të PS.

Pjesë e këtyre homazheve u janë bashkuar edhe aleatët e PD-së, mes tyre Agron Gjekmarkaj, Agron Duka e Fatmir Mediu.

Pasi u përulën para trupit të pajetë të ish kryetarit të Partisë Socialiste, Fatos Nano, figurat politike shkruajtën edhe përshtypjet në librin e shënimeve.

Ora 9:06. Rama do të mbajë fjalim
Kryeministri Edi Rama pritet të mbajë fjalim sot, 2 nëntor, në homazhet që do mbahen në nder të liderit historik të socialistëve, Fatos Nano.

Pas disa reagimeve që prej ndarjes së Nanos nga jeta, Rama ka postuar edhe këtë mëngjes një foto të tijën, ku shkruan: Lamtumirë Fatos Nano!

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu