
Holanda ka vendosur të ndalojë blerjen dhe mbajtjen e maceve të racës Scottish Fold dhe Sphynx, duke forcuar më tej ligjet për mbrojtjen e mirëqenies së kafshëve. Vendimi hyn në fuqi nga 1 janari dhe ka marrë mbështetjen e plotë të Shoqatës Kombëtare të Veterinerëve Holandezë.
Sipas autoriteteve, këto dy raca janë rezultat i një seleksionimi gjenetik ekstrem, i cili u ka shkaktuar kafshëve vuajtje të përhershme dhe probleme të rënda shëndetësore, pavarësisht popullaritetit të tyre në rrjetet sociale dhe mes personazheve të famshëm.
Çfarë parashikon ligji i ri
Shitja e Scottish Fold dhe Sphynx ishte i ndaluar në Holandë edhe më herët, por deri tani pronarët mund t’i blinin macet jashtë vendit ose online.
Me ligjin e ri, ndalohet edhe mbajtja e tyre.
Masat nuk janë retroaktive: kush i zotëron tashmë këto mace mund t’i mbajë, por është i detyruar t’i mikroçipojë dhe t’i deklarojë zyrtarisht. Shkelja e ligjit shoqërohet me gjobë.
Gjithashtu, autoritetet dekurajojnë fort pjesëmarrjen e këtyre maceve në konkurse bukurie, duke theksuar se shijet estetike të njerëzve nuk duhet të mbizotërojnë mbi vuajtjen e kafshëve.
“Nuk është e drejtë që kafshët të vuajnë pa nevojë për shkak të karakteristikave fizike të imponuara nga njeriu”, deklaroi nënsekretari holandez Jean Rummenie, duke shtuar se mirëqenia e kafshëve është prioritet.
Problemet shëndetësore të racave
Sipas dokumenteve zyrtare dhe veterinerëve, Scottish Fold vuajnë nga:
- deformime të kockave dhe kyçeve
- dhimbje kronike
- probleme të rënda kongjenitale
Ndërsa macet Sphynx, të njohura për mungesën e qimeve, përballen me:
- vështirësi në rregullimin e temperaturës trupore
- rrezik të lartë nga djegiet nga dielli dhe kanceri i lëkurës
- infeksione të shpeshta të veshëve
- probleme respiratore, sidomos tek këlyshët
Mungesa e mustaqeve dhe e qimeve ndikon drejtpërdrejt edhe në perceptimin ndijor të këtyre maceve.
Mbështetje nga veterinerët dhe aktivistët
Shoqata Kombëtare e Veterinerëve Holandezë (KNMvD) e cilësoi vendimin si “një hap shumë të rëndësishëm për të reduktuar mbajtjen e kafshëve me karakteristika fizike të dëmshme”.
Ekspertët dhe organizatat për mbrojtjen e kafshëve e përkufizojnë këtë fenomen si “bukuri që vret”, duke theksuar se vuajtja e kafshëve është çmimi i një estetike të imponuar nga njeriu. Pas Holandës, edhe Norvegjia dhe disa shtete australiane kanë ndërmarrë masa të ngjashme./Corriere della sera






