Tiranë – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur fillimin e procesit të regjistrimit për votuesit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, për zgjedhjet e ardhshme parlamentare që do të mbahen më 11 Maj 2025.
Zgjedhësit me qëndrim jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë do të mund të votojnë për deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, nga shteti ku jetojnë.
Por për të ushtruar këtë të drejtë, paraprakisht u duhet të regjistrohen në listën e zgjedhësve të votuesve nga jashtë. Regjistrimi në listë bëhet nëpërmjet Platformës Elektronike për Regjistrimin e votuesve nga jashtë (PER-it) e cila administrohet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
“Pasi të jeni regjistruar në Listën e Zgjedhësve nga jashtë vendit, Komisioni Qendor i Zgjedhjeve do t’ju dërgojë fletën e votimit dhe materiale të tjera udhëzuese tek adresa që ju keni deklaruar në PER” bën të ditur KQZ.
Pasi të keni marrë fletën e votimit, ju e plotësoni atë sipas udhëzimeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke zgjedhur subjektin zgjedhor dhe/ose kandidatin që dëshironi. Fleta e votimit dërgohet mbrapsht në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve duke llogaritur kohën që ajo të mbërrijë në këtë institucion, deri në afatin e fundit që është ora 19:00 e datës 11 Maj 2025.
“Kostot e shërbimit postar për dërgimin e fletës së votimit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tek ju, si dhe kthimin e saj nga ju për tek Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, do të paguhen të gjitha nga shteti shqiptar” thuhet në njoftimin e KQZ.
Platforma Elektronike e Regjistrimit të Votuesve nga Jashtë gjendet në: [https://diaspora.kqz.gov.al](https://diaspora.kqz.gov.al). Votuesit mund të regjistrohen gjithashtu duke përdorur aplikacionin zyrtar KQZ , i cili ofron akses të thjeshtë dhe të sigurt për të përfunduar procesin me disa hapa të thjeshtë:
1. Vizitoni faqen në internet ose hapni aplikacionin KQZ në pajisjen tuaj.
2. Krijoni një llogari ose identifikohuni me kredencialet ekzistuese.
3. Plotësoni të dhënat e nevojshme dhe dorëzoni dokumentet e kërkuara për verifikim.
4. Prisni konfirmimin nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për statusin e regjistrimit tuaj.