
Në zemër të Connecticut-it, një histori suksesi shqiptaro-amerikane po ngrihet mbi 17 hektarë tokë të mbjella me vreshta: është familja e parë shqiptare që zotëron një verari në këtë shtet të SHBA-së, e cila prodhon rreth 50 mijë shishe verë në vit, me rreth 50 të punësuar part-time, dhe së fundmi është shpallur veraria më e mirë në Connecticut.
Pas këtij suksesi qëndrojnë Ardi dhe Neviana, një çift me origjinë nga Korça, që prej 25 vitesh jetojnë në Amerikë. Të dy inxhinierë – ai i mekanikës, ajo e kompjuterikës – vendosën të ndërtonin jo vetëm një shtëpi, por një ëndërr nga hiçi: një fermë verërash që sot është bërë destinacion për mijëra vizitorë çdo vit.
“Nuk ka gjë më të bukur se të ndërtosh diçka nga hiçi bashkë,” thotë Neviana në “Rrëfim Suksesi”.
Historia e tyre nisi thjesht: në vitin 2016 blenë një tokë për të ndërtuar një shtëpi më të madhe për familjen. Por kur panë hapësirën e gjerë, vendosën të mbjellin pak rrush. Nga një ide e thjeshtë, kjo u kthye në një ndër veraritë më të veçanta në rajon.
Sot, veraria shqiptaro-amerikane prodhon 9 lloje vere, nga të cilat dy mbajnë emra shqip dhe simbolikë të fortë:
“Queen of Iliria” – frymëzuar nga Mbretëresha Teuta
“Zana e Malit” – një dedikim për mitologjinë shqiptare
“Vera ‘Zana e Malit’ është shumë e dashur për njerëzit këtu, edhe pse nuk dinë ta shqiptojnë siç duhet. Por e ndiejnë magjinë që mbart,” shprehet Ardi.
Një vend ku vera takon artin dhe yjet
Përtej verës, veraria ofron një përvojë unike: muzikë live çdo fundjavë, koncerte me artistë lokalë dhe ndërkombëtarë, mbrëmje me dy pianos, madje edhe netë dedikuar shikimit të yjeve me teleskopë.
Një event i veçantë që organizohet shpesh është “Star Gazing Night”, ku vizitorët mund të shikojnë konstelacionet ndërsa shijojnë një gotë verë. Emrat e verërave janë të lidhur me mitologjinë dhe qiellin – një mënyrë artistike për të përzier trashëgiminë shqiptare me natyrën dhe kulturën amerikane.
Ndërsa suksesi sot është i dukshëm, rruga nuk ka qenë e lehtë. “Gjatë 6 viteve të para çdo fundjavë, çdo mbasdite punonim në vreshta me fëmijë të vegjël, duke mbjellë, ndërtuar, pastruar,” kujton Neviana.
Përkundër punës në kompani të mëdha ndërkombëtare, çifti vendosi të largohej nga karriera në inxhinieri për të ndjekur pasionin. Pandemia COVID-19 ishte një tjetër sfidë, por edhe një pikë kthese: njerëzit kërkonin ambiente të hapura, të sigurta dhe familjare – siç është veraria e tyre.
Për çiftin, suksesi nuk vjen vetëm nga produkti, por nga marrëdhënia me komunitetin. Ata janë aktivë në mbështetje të artistëve lokalë dhe organizatave jofitimprurëse, dhe janë kthyer në një pikë referimi për komunitetin shqiptar në SHBA.
“Nëse do të hapësh një biznes në Amerikë, gjëja më e rëndësishme është të lidhesh me komunitetin, ta kuptosh, të jesh pjesë e tij. Kjo është çelësi,” thotë Neviana.
Sot, veraria e tyre është jo vetëm një biznes i suksesshëm, por edhe një ambasadë e vogël e kulturës shqiptare në SHBA, ku flamuri kuqezi, emrat mitologjikë dhe dashuria për tokën bashkohen në çdo shishe vere.