
Kreu i Grupit Parlamentar dhe drejtues Politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla promovon një tjetër rast suksesi, një histori frymëzuese nga Orenjë Katundi, në Librazhd.
Pas kthimit nga emigracioni, Artur Balla ka vendosur të investojë në vendlindje, duke ngritur një fermë unike me gomarica.
Arturi e ka nisur me 20 gomarica, ndërsa synimi i tij është të krijojë fermën e parë dhe më të madhe të këtij lloji në zonë. Qumështi i gomaricës i njohur për vetitë e tij kurative, rezulton i shumëkërkuar në treg, duke e kthyer iniciativën e tij në një histori të vërtetë suksesi.
“Shembulli i Arturit dhe familjes së tij tregon se dashuria për vendlindjen mund të shndërrohet në punë, zhvillim dhe shpresë për komunitetin lokal,” shkruan Taulant Balla krahas postimit të kësaj historie në rrjete sociale. Balla e ka kthyer prej kohësh në mision jo vetëm politik, mbështetjen e emigrantëve që kthehen dhe investojnë në Shqipëri, po ashtu dhe ftesat e herëpashershme për shqiptarët e suksesshëm jashtë, që të hapin degë të bizneseve të tyre në vendlindje.