Në një strehë kafshësh në Minnesota, ku jetojnë mbi 350 mace të shpëtuara nga rruga, vizitorët përballen me një surprizë të pazakontë. Mes dhjetëra bishtave dhe syve kureshtarë të maceve, shfaqet edhe një qen. Quhet Bella dhe ka vetëm një dëshirë: të jetë gjithmonë me macet.

Bella u adoptua shtatë vite më parë nga Janis, një prej drejtueseve të Furball Farm Cat Sanctuary. Fillimisht, prania e saj në ambientet e maceve ishte e paimagjinueshme, por qeni insistonte vazhdimisht. “Bella qante për të hyrë te macet”, ka treguar Janis.

Takimi mes saj dhe maceve u bë gradualisht dhe me shumë kujdes. Rezultati ishte befasues: shumica e maceve u treguan të qeta dhe e pranuan Bellën pa frikë. Shumë shpejt, ajo u bë pjesë e përditshmërisë së tyre, duke ndarë lojërat, përkëdheljet dhe pushimet e gjata.

Sot, stafi e konsideron Bellën si një “vullnetare” të vërtetë të strehës. Ajo përpiqet madje t’i mbledhë macet si një tufë, e shtyrë nga një instinkt i çuditshëm mbrojtës. Janis shpjegon se prania e saj është edhe e dobishme, pasi ndihmon për të kuptuar se cilat mace mund të adoptohen nga familje që kanë edhe qen.

Pas kaq shumë kohe mes maceve, Bella ka marrë edhe zakonet e tyre: i pëlqejnë dyshemetë e ngrohta, fle gjatë dhe ndonjëherë përpiqet të hajë ushqimin e maceve. “Nganjëherë mendojmë se ajo beson se është thjesht një mace shumë e madhe”, thotë Janis me humor.

Historia e Bellës është një dëshmi se miqësia mes kafshëve nuk njeh kufij, duke treguar se dashuria dhe bashkëjetesa janë të mundshme edhe aty ku askush nuk do ta kishte menduar.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu